.
×

Bajrush Morina: Zgjidhja e “nyjës” as me këtë Qeveri në pushtet, e as me këtë Opozitë në tenda!  



Sot nuk isha ndjerë mirë as në kolltuqet e buta të Qeverisë e as në tendet e ftohta të opozitës!

Dhe jo se mua nuk ma k’anda “lezetin” e pushtetit, apo se nuk do të më merrte gjumi pasmesnate në “shiltet” e holla dhe tendet e ftohta në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës!

Por sepse zgjidhjen e kësaj “nyje gordiane” nuk po e shoh as në gatishmërinë e këtij pushteti dhe as në seriozitetin e kësaj opozite.

Pozita dhe opozita kanë futur përçarje në popull, në “ata që janë me pushtetin” dhe në “ata që janë me opozitën”.

Pushteti dhe opozita e kanë ndarë skenën politike në dy pjesë, në mbrojtje të pushtetit dhe në luftën për marrje të pushtetit.

Pushteti dhe opozita e kanë “copëtuar”  vendin në dy pjesë!  As Serbia e as “Zajednica” nuk do ta copëtonin vendin kaq keq e kaq shumë se sa pozita dhe opozita!

Pushteti dhe opozita kanë krijuar dy fronte politike, dy fronte lufte, dy fronte të barrikadimit.

Të parët janë strehuar në “istikamet” e Qeverisë e të dytët kanë zënë “pikat” e sulmit në shesh!

Të parët provokojnë me deklarata e të dytët sulmojnë me gazlotësjellës e me molotov!

Në gjithë këtë betëje për të mbrojtur pushtetin ( e jo shtetin) dhe në gjithë këtë pseudokauzë për të shpëtuar shtetin (por për të marrë pushtetin) vetëm populli ka mbetur jetimë, ka mbetur pa përkujdesje institucionale, ka mbetur rrugëve, po sheh seri, ka mbetur i hutuar, ka mbetur pa punë, pa perspektivë, pa të ardhme evropiane, pa shpresë dhe pa liri të merituar!

Deri kur kështu?

Kjo përgjigje nuk duhet kërkuar as në Qeveri e as në tendat e opozitës!

As unë nuk e di!

Por një gjë e di: Kështu po shkojmë drejt shkatërrimit të shteti tonë. E në këtë shkatërrim do të fundosen shumica e popullit të Kosovës ndërkaq fatkeqësisht do të shpëtojnë përsëri liderët politikë, këta që tash e 16 vjet po e sundojnë shtetin, po përfitojnë nga buxheti i varfër i shtetit, këta që kanë shtëpi, banesa, vila, xhirollogari me fonde pesë e më shumë shifrore, që kanë edhe nga një shtëtësi rezervë dhe nga një pasaportë tjetër përveç të Kosovës.

Zot shpëtoje vendin tim, vendin tonë, Republikën e Kosovës nga kjo e gjendje kaq e rëndë!

Zot çliroje vendin tim, vendin tonë, Republikën e Kosovës nga këta profiterë politikë!