.
×

Bajrush Morina: Si e njoha Gani Geci?



Kisha dëgjuar për vëllezërit Geci nga Llausha e Skenderajt, por nuk e kisha takuar asnjëherë asnjërin prej tyre. Miku im Ilaz Bylykbashi, kishte takuar vëllaun e madh Halilin në Tiranë. Unë kisha krijova paraprakisht kontakte me Ganiun në verën e vitit `1998. Në korrik të vitit 1998 në Çirez të Drenicës më del përpara një djalë thatanik, me uniformë të UÇK-së, me një kallash në dorë. “Unë jam Gani Geci, jam veç ushtar i Kosovës. Pushkën e kam marrë në dorë për të luftuar agresorin serb…”. Për 2 ditë rresh do të jemi bashkë me Ganiun nëpër “territoret e lira” të Drenicës. Duke dëgjuar gjithë atë histori të bujshme të Ganiut e sidomos takimet me komandant Adem Jasharin, në ndarje, para se të kthehesha në Prishtinë i thashë:”Dëgjo, në intervistë a ta shënoj emrin Komandant Gani Geci. Këtu në rrugë na dolën nja 10 a 15 komandanta…ti megjithatë ke fakte e biografi të bujshme të aktivitetit me Adem Jasharin…krejt këta që i takova nëpër “lluga e nëpër kaçuba” e që prezantoheshin si “komandant therra e komandant murrizi” krahasuar me veprimtarinë tende qenkan “kurrkusha”, thuaj jam komandant Gani Geci…pse jo, insistova disa herë para se të ndaheshim me Ganiun. Por Ganiu si Ganiu, trim po por edhe kokëfortë sa të duash: Jo unë nuk jam komandant, unë jam veç ushtar i lirisë së Kosovës, komandant imi është Ibrahim Rugova”. Intervista me Ganiun u prit shumë mirë në opinion. Me foto në uniformë të UÇK-së, me kallashë në dorë, të shkrepura nga Ilaz Bylykbashi, me emër e mbiemër, Gani Geci foli për luftën dhe prapaskenat e do farë “komandantave të therrave e të murrizave” gjatë luftës. Gjatë luftes kemi mbajtur kontakte mes vete, si gjithmonë ai i sertë e “rrrebel” ndërkaq edhe unë nuk ia leja mangu ndonjë fjale “përshëndetëse” në adresë të tij. Kur u pamë pas lufte i thashë hajde fol shul shqip. Ai foli dhe nxori librin “Lufta pa maska” një libër që bëri bujë të madhe dhe që u shit përnjëherë me një tirazh marramendës. Libri u përgatit nga Avdyl Gërvalla; Sefedin Krasniqi por lbrin e kemi përgatitur së bashku me Ganiun, fjalë për fjalë në redaksinë e gazetës Bota sot në Prishtinë, që e botoi librin si edicion të saj. Edhe sot e kësaj dite nuk ia fal “mëkatin” pse nuk pranoi ta quaja komandant Gani Geci, për faktin se ai ishte vërtetë komandant e këta të “kaçubave, të therrave e të murrizave” mbin si këpurdhat pas shiut. Gani sot ka ditëlindjen, i mbush 51 vjec. është në gjysmë të rrugëtimit të tij jetësor. Pjesa tjetër e jetës i kaloftë në harmoni me familjen e mrekullueshme, me djem, vajza, mbesa e nipa, me vëllezër e me një “batalion” familjarësh të Bajraktarëve të Llaushës. Legjenda: Ne foto me Ganiun dhe me vellaun e madh Halilin ne nje dasem familjare te vellezerve Geci, ne Llaushe te Skenderajt