.
×

Bajrush Morina: “Retë e zezë” mbi PDK dhe retë e bardha mbi Kosovë!



Kreu i PDK-së Kadri Veseli deklaroi se Gjykata Speciale është një “re e zezë mbi PDK-në dhe mbi Kosovën”. Veseli e tha këtë deklaratë nën ndikimin e emocioneve të ftesave që i morën këto ditë dita prej ish-komandantëve dhe luftëtarëe të UÇK-së.

Por kjo deklaratë e Kadri Veselit është sa e pavërtetë aq edhe tendencioze.

E para është e pavërtetë për faktin se të ftuarit nga Specialja nuk janë vetëm anëtarë apo zyrtarë të PDK-së por edhe të partive të tjera,

E dyta, nuk është krejt Kosova PDK, prandaj edhe nëse PDK është “në zi” shumica e popullit të Kosovës që nuk janë me PDK-në gjë që nënkupton se mbi shumicën e popullit të Kosovës nuk kanë rënë “retë e zeza”.

E treta, Gjykata Speciale do t’ia heqë “retë e zeza” edhe PDK-së të cilat re e kanë mbuluar PDK-në prej themelimit të saj e po a mbajnë “në zi” edhe sot e kësaj dite.

“Retë e zeza” PDK-ja e disa parti të ashtuquajtura “krahu i luftës” ia kanë vënë vetes që prej fillimit të vrasjeve të pasluftës të aktivistëve dhe zyrtarëve të lartë të LDK-së.

E meqenëse këto vrasje politike të pasluftës nuk u zbuluan deri më tash, ka ardhë koha që në Gjykatën Speciale të zbardhen disa prej këtyre vrasjeve të veprimtarëvë të LDK-së.

Nëse këto vrasje janë kryer me urdhëra të Shërbimit Informativ të Kosvës, alias SHIK-ut të shkrirë në PDK, atëherë le të vuajnë burgun ata që shkrepën plumba mbi ministrin Ahmet Krasniqi, ata që ia morën jetën mësuesit Haki Ymeri, ata që e vranë dhe e dogjën Shaban Manajn, ata që ia vranë babën në prag të derës Besianit e Berianës (fëmijve të Xhemajl Mustafës) ata që ia errësuan lirinë e Kosovës, Blerimit, djalit të Smjal Hajdarit, ata që ua përlotën fëmijërinë fëmijve të Ekrem Rexhës – komandant Drinit, ata që i lanë jetimë pa babë Vesën e Erën, dy vajzat e Bekim Kastratit, ata që i zunë pritën Gani Gecit dhe që ia vranë  bashkëluftëtarin e tij Besim Dajakun, ata që e lanë në karrocë për gjithë jetën Fetah Rudin…e shumë shumë vrasje të tjera të pasluftës në Kosovë me motive politike.

Në të kundërtën, nëse Gjykata Speciale konstaton se këto vrasje nuk i kanë vrarë njerëzit e SHIK-ut të PDK-së atëherë kësaj partie politike do t’i hiqen “retë e zeza”, do të lirohet nga makthi i akuzës publike dhe do të shpallet e pafajshme me vendim të drejtësisë ndërkombëtare.

Deri atëherë ndjeni pak dhembje me Besianin e Berianën, me Blerimin, Vesën e Erën, me djemtë e Komandant Drinit, me jetën invalidore të Fetah Rudit.

Ata dikush i ka vrarë, dikush ka dhënë urdhër për t’i vrarë?

Kush është ai apo kush janë ata, përgjigjen do ta japë Gjykata Speciale!