.
×

Bajrush Morina: Me profesor Zekirja Canen e para e pas luftës në Kosovë



Me profën e paraluftës!

Kur në mes të janarit të vitit 1999 po ktheheshim nga varrimi i gazetarit e poublicistit Enver Maloku, bashkë me Ilaz Bylykbashin, profesor Zekirja Cana po më thoshte në kafeterinë Edi 1 derisa po e “nxenim fytin” me nga një gotë: “Tash e kemi rendin unë e ti Bajrush!”

Enver Maloku u vra në pasditen e vonë të 11 janarit të vitit 1999. Vrasja e Malokut edhe sot e kësaj dite mbetet e pazbuluar ndërkaq profesori Zekirja Cana tashmë ka shkuar në amshim!

Nuk do të doja të shkruaja për profën tash kur nuk është më ai në mesin tonë.

Nuk do të doja sepse kam frikë se nuk do të them asgjë më shumë nga ajo që dihet dhe është thënë për profesor Canën, ndërkaq kam frikë se edhe sikur të them diçka për profën, nuk do të them dot atë që e meriton ky martir i lirisë e demokracisë në vendin tonë.

Profesor Zekirja Cana është lajmëtari më i madh i shekullit tonë. Ai ishte dhe do të mbetet adresa e parë në Prishtinë ku kanë trokitur shqiptarët nga të katër anët e Kosovës të cilët po rriheshin, po maltertoheshin dhe po vriteshin nga regjimi policer serb.

Profesor Zekirja Cana ka qene dhe do te mbetet veprimtari i parë shqiptar që ka trokitur në dyert e shtëpive të këtyre shqiptarëve të rrahur, të maltertuar e të vrarë nga regjimi militar serb.

Profesor Zekirja Cana ka qenë dhe do të mbetet guximtari më i madh i kohës kur jetoi e veproi profa. Ai ka folur edhe atëherë kur ka qenë e ndaluar. Ai ka ngritur zërin edhe atëherë kur kanë tentuar t’ia mbyllin gojën! Ai ka shkruar edhe atëherë kur të tjerët nuk guxonin as të flisnin. Ai ka ecur këmbë anembanë Kosovës, kur të tjerët nuk bënin as një hap përtej pragut të tyre të shtëpisë.

Me profesor Zekirja Canan kam pasur fatin të takohem në vite të ndryshme të para dhe pas luftës në Kosovë.

Por me profesor Zekirja Canën nuk e kam pasë gjithmonë guximin për të udhëtuar nëpër Kosovën.

Kur dikush e lajmëronte në telefon apo i qonte fjalë se në atë qytet apo në atë katund policia serbe po bën kërdi, profa nuk priste dhe pa një pa dy: “Qohu djalo…historia nuk pret! Shpejt të shkojmë e të jemi pranë atëyr familjarëve!”

Me profën e pasluftës!

Me torbën e tij të zezë po ngjitej shkallëve të errta të pallatit të shtypit të Rilindjes. Po vinte në redakisnë e gazetës Bota sot, të më takonte.

“Ja djalo ditari im i luftës! Botoje se është me interes për opinionin!

Dy vëllimet e Ditarit të luftës së profesor Zekirja Canës i kam lexuar pothuaja në dorëshkrim. Duke lexuar këtë ditar, shpesh herë jam trishtuar, jam ligur por edhe jam forcuar.

Luftën e kemi përjetuar secili në mënyrën e vet.

Por ditiaret e luftës së profesor Zekirja Canës janë pasqyra më e pastër e luftës së fundit në Kosovë.

Në këto ditare profesor Zekirja Cana flet qartë, flet drejt, flet me emër e mbiemër…

Këto ditare të luftës së profesor Zekirja Canës do të duhej të ishin literatura më besnike e kohës së luftës në Kosovë. Janë dëshmi të kësaj lufte me pamje nga më të merrshmet…Disa prej këtyre pamjeve i ka parë vetë profesor Zekirja Cana, disa i ka dëgjuar e për disa ka marrë edhe letra e porosi si dëshmi.

Profesor Zekirja Cana ka qenë, është e do të mbetet ndër intelektualët më të guximshëm të kohës!

Ai do të mbetet si një ndër historianët e shekullit tonë që ka shkruar dhe folur me fakte, e jo me thashetheme.

Me profën kam ndejtur bukur një copë kohë…edhe kur ishte rrezik, edhe kur liria jonë e kufzuar në kohë e në hapësirë, merrte pamjen e një jete sado pak normale, në një copë tavoline që ishte sofra jonë e përbashkët.

Liria, demokracia dhe sakrifica e vendit tim e mban emrin e Zekirja Canës!