.
×

Bajqinovci hedh akuza ndaj PDK-së: E shkatërruat projektin për stadiumin nacional



Mefail Bajqinovci, i cili pritet që shumë shpejt të bëhet deputet i Kuvendit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e ka komentuar debatin e fundit lidhur me lokacionin e ndërtimit të stadiumit nacional.

Përmes një shkrimi në facebook, Bajqinovci, ka hedhur akuza ndaj zyrtarëve të PDK-së, të cilët sipas tij, në fushatën zgjedhore të vitit 2017, e ndërruan lokacionin e stadiumit nga Prishtina në Drenas, vetëm që të përfitojnë vota nga ajo zonë.Madje, ai ka thënë se me vendimin për zhvendosjen e stadiumit në Drenas, është shkatërruar projekti, pasi që sipas tij, atij i janë hequr Palestra me 4000 ulëse, qendrat stervitore, Pishina Olimpike dhe fushat e tenisit.

Ministria e Kultures, Rinisë dhe Sportit, nuk po e thotë të vërteten rreth Stadiumit.

Qeveria në 2017, ka marrë vendim politik dhe elektoral në prag të Zgjedhjeve Lokale 2017, për shkak të frikës së humbjes në Drenas të PDK’së ajo kishte kthyer përdorimin e Stadiumit si karrem për vota, duke e ndërruar lokacionin nga Prishtina në Drenas.Shpronësimet që përmenden si arsyetim në Bërnicë, janë pallavra sepse masa që do të shpronësohej ishte minimale sepse pjesa dërrmuese e tokës, ishte publike.

Koncepti i tërësishëm i projektit, është shkatërruar nga Vendimi i Qeverisë në 2017 duke prolonguar ndërtimin e stadiumit.MKRS thotë se projekti i zhvendosur në Drenas, pas zhvendosjes, i është bërë fizibiliteti. Siç duket udhëheqja e MKRS-së as nuk e kupton fjalën fizibilitet. Si mundet që njëherë të përcaktosh lokacion pa analizë, e më pas të zhvillosh fizibilitet pra analizë të faktorëve? Kjo është hajgare.

Stadiumi ishte pjesë esenciale e një projekti madhor siç është kompleksi i Qendrës Nacionale për Sport që planifikohej të ndërtohej në Bërrnicë. Tani i tërë funksioni, koncepti dhe qëndrueshmëria e një projekti kaq madhor ndikohet negativisht sepse Qendra Nacionale Sportive, ku do të ndërtohej Stadiumi, Palestra me 4000 ulëse, qendrat stervitore, Pishina Olimpike, fushat e tenisit etj, i është hequr Stadiumi si pjesë themelore e projektit. Pra, e keni shkatërruar projektin, e keni vonuar ndërtimin e Stadiumit vetëm pse ju gjithmonë me projektet madhore të këtij vendi, keni bërë biznes financiar dhe politik (për vota).