.
×

Bahtiri ia dorëzoi Veselit nënshkrimet e qytetarëve për ‘Bashkimin e Mitrovicës’



Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri ua ka dorëzuar peticionin me 16 mijë nënshkrimet e qytetarëve të kësaj komune për bashkimin e Mitrovicës, kryetarit të Kuvendit, Qeverisë dhe Zyrës së Presidentit.

Bahtiri me këtë rast ka deklaruar se mbi 15 mijë qytetarë jetojnë në mëshirën e padrejtësive në jug të Mitrovicës i refugjatë, në pamundësi për t`u kthyer në shtëpitë e tyre.

“Ju e dini që 15 mijë banorë në veri ende jetojnë në mëshirën e padrejtësisë dhe jetojnë në pjesën e jugut si refugjatë dhe nuk mund të kthehen t`i ndërtojnë shtëpitë e tyre. Strukturat e tjera nuk e kanë pas mendjen në Prishtinë por në Beograd. Dhe skandaloze është edhe dorëheqja e kryetarit të veriut. Veriu është duke u udhëhequr nga strukturat paralele. E kemi bërë prej zorit peticionin dhe t`ia drejtojmë Kuvendit që në emër të qytetarëve, në emër të serbëve që kanë nxënë fytyrën nga Serbia, kërkojë dhe ju lutemi vëllazërisht qe ta drejtoni dhe ta merrni një vendim që ta bëjmë qytetin me një status me një kryetar pa dallim nacionaliteti”, tha Bahtiri.

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se peticionin do ta trajtojnë sipas procedurave që parashihen me ligj dhe kërkoi që qytetarët duhet ta ruajnë qetësinë dhe të jetojnë së bashku.

“Është një peticion që do ta trajtojmë në bazë të procedurave tona, sepse, kemi njerëz që e kërkojnë t`u mbrohen të drejtat e tyre. Ne do të punojmë bashkërisht, nuk do të ketë as acarim të situatës. Qytetarët e Mitrovicës shqiptarë dhe serbë do të jetojnë së bashku”, tha Veseli.

Ai ka shtuar se peticioni do të trajtohet në mënyrë shumë serioze.

“Peticioni do të shkoj në komisionin parlamentar dhe pastaj do të ketë vendim i cili do të jetë në interes të qytetarëve. S`ka provokim, serbët do të trajtohen qysh kanë të drejta, por Kosova është shtet i pavarur. Nuk është një iniciativë politike, kjo është një iniciativë humane se Mitrovica është e mitrovicasve dhe do te jetë përherë e tyre”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.