.
×

Azem Syla do të mbrohet në liri, Prokuroria ende s’ka caktuar prokuror për rastin e tij



Botapress, 29 Gusht-Kanë kaluar disa ditë qëkur i akuzuari në rastin “Toka”, Azem Syla, është liruar nga arresti shtëpiak.

Por Syla do të vazhdojë më tutje të jetë në liri.Kjo pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se i duhen edhe disa ditë që të caktojë një prokuror për rastin e tij.Lënda, sipas prokurorit special Sylë Hoxha, pritet t’i ndahet njërit prej prokurorëve të rinj të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Se gjatë trajtimit të Azem Sylës pati lëshime, e pranon prokurori special Sylë Hoxha, por sipas tij, faji kryesor mbetet te Gjykata, e cila e la në liri Sylën.KTV-ja ka kontaktuar edhe me prokurorin e rastit Toka, Abdurrahim Islami, i cili ka një javë që është pensionuar.

Islami, përmes telefonit, ka thënë se edhe në këtë rast vazhdimin e masës së arrestit ndaj Azem Sylës është dashur ta bëjë gjykata, ashtu siç ka bërë edhe në muajt e kaluar.Islami më tutje deklaroi se gjatë shqyrtimeve gjyqësore gjithmonë ka qenë detyrë e gjykatës që të merret me caktimin e masave të paraburgimit.

Televizioni ka kontaktuar gjithashtu edhe me gjyqtarin Beqir Kalludra, i cili ishte kryetar i trupit gjykues në rastin e Azem Sylës, por Kalludra pasi ka dëgjuar pyetjen, e ka mbyllur telefonin, duke refuzuar kështu të japë sqarime.

E telefonin nuk e ka hapur gjatë tërë ditës as avokati mbrojtës i Azem Sylës, Besnik Berisha.Ndërsa të hënën, kur pritet të mbahet një seancë në rastin e njohur si Toka, prokuror pritet të jetë vetë prokurori special, Sylë Hoxha, i cili ka thënë se këtë do ta bëjë në mënyrë që të mos ketë vonesa në këtë lëndë.

Azem Syla, i akuzuar në rastin Toka, u lirua javën e kaluar nga masa e arrestit shtëpiak, pas një vendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e la atë në liri, me arsyetimin se nuk kishte kërkesë nga prokuroria për vazhdimin e masës së arrestit.Por prokurori i rastit, Abdurrahim Islami, kishte dalë në pension vetëm disa ditë para se gjykata ta lironte Azem Sylën./KTV/