.
×

Azem Syla dëshmon në gjykimin e Fatmir Limajt



Botapress, 15 Janar – Në Gjykatën Themelore të Gjakovës të martën do të vazhdojë gjykimi ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, i akuzuar për krime lufte që lidhet me vrasjen e dy civilëve në zonën e Malishevës.

Në seancën e nesërme pritet të dëshmojnë katër dëshmitarë.

 

Në mesin e tyre pritet të jetë edhe Azem Syla, raporton kallxo.com

 

Syla pritet të dëshmojë në cilësinë e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Gjatë seancës së sotme, në gjykimin e Limajt për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit më 2 tetor 1998 dëshmuan edhe dy ish-anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Rexhep Selimi dhe Bislim Zyrapi.

 

Përveç Azem Sylës për nesër është paraparë të japin dëshmi edhe tre dëshmitarë të tjerë.

 

Të gjithë këta dëshmitarë janë të propozuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

 

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

 

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

 

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.