.
×

Asociacioni në radhë, do të themelohet sipas Listës Srpska apo sipas Gjykatës Kushtetuese?



 

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, shpejt do të bëhet njëra nga temat e cila do të marrë vëmendjen e qarqeve politike. Megjithatë, mbetet e paqartë mënyrë se si do të formohet ky Asociacion. Lista Serbe kërkon që Asociacioni të bëhet sipas marrëveshjes së Brukselit, derisa nga Kosova sipas vendimit të Kushtetueses.

Formimi i Asociacionit me Shumicë Serbe, është obligim për institucionet e Kosovës, i cili ka dalë nga marrëveshja në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel. Megjithëse, themelimi i tij shihet vështirë i realizueshëm. Gjithë kjo situatë asocion në kundërshtimet që kanë mes vete zyrtarët politikë kosovarë dhe ata serbë.

Pala kosovare thotë se nuk pajtohen me asnjë kusht që mund të bëhet nga Lista Serbe si mundësi për ta themeluar Asociacionin sipas kërkesës së tyre.

Në Qeverinë e Kosovës deklarojnë për Express se Asociacioni do të bëhet sipas vendimit të Kushtetueses dhe në asnjë mënyrë tjetër. Derisa e bëjnë të qartë se partia serbe në Kosovë nuk ka vënë kushte për Demarkacionin në mënyrë që të formohet Asociacioni.

Njësoj e bën të ditur edhe Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK’së. Ai për Express shtoi se Asociacioni mund të themelohet vetëm sipas Kushtetutës dhe se mundësi tjetër nuk ka.

“Marrëveshja e arritur në Bruksel i referohet qartë Kushtetutës së Kosovës. Opinioni i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje e ka qartësuar procedurën që duhet të ndiqet në këtë rast”, shprehet zyrtari i partisë së Mustafës.

Hoti vlerëson se Asociacioni është çështje e Qeverisë. Ai thotë se në Qeverinë Mustafa janë kujdesur që marrëveshja e arritur në Bruksel të jetë në përputhje me Kushtetutën, duke futur ne marrëveshje referenca të qarta se asociacioni duhet te themelohet sipas kushtetutës.

LDK sqaron se nuk pranon asnjë lloj koncesioni që mund të arrihet mes koalicioni qeverisës dhe partisë serbe për ta votuar demarkacionin, nëse kjo kërkohet nga Lista Serbe.

“Ne presim që koalicioni qeverisës të sigurojë votat e nevojshme për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit, që i hap rrugë liberalizimit të vizave. Ne paralajmërojë koalicionin qeverisës se nuk do të pranojmë asnjë lloj koncesioni që mund të arrijnë me partnerin e tyre qeverisës Lista Serbe për të siguruar mbështetjen për votimin e demarkacionit. Nuk pranojmë asnjë koncesion që shkon në dëm të interesave të vendit”, ka shtuar Hoti.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka vlerësuar se 21 nene të kësaj marrëveshje janë ne kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, buron nga Marrëveshja e Parë e Parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel më 19 prill të vitit 2013.

Lista Serbe insiston që formimi i Asociacionit të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013. Sidoqoftë në raundin tjetër ne Bruksel do të diskutohet për Asocacionin.

Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe kishte ngjallur pakënaqësi të mëdha të opozita kosovare, që ishin përcjell edhe me protesta masive./GazetaExpress/