[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ashtu si dhe shefi i saj, as Albulena Haxhiu s’ia dorëzon detyrën ministrit të ri



Kosova dje u bë me qeveri të re, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Avdullah Hoti. Ky i fundit sot mori detyrën, kjo me një ceremoni krejtësisht të zymtë, pasi që ish-kryeministri Albin Kurti, nuk ia dorëzoi postin.

E, as ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, s’do t’ia dorëzoi detyrën që mbante ministrit të ri, Selim Selimit. Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, ish-shefi i kabinetit të Haxhiut, Blerim Sallahu.

“Po, është e vërtetë që ish-ministrja Haxhiu nuk do t’ia dorëzojë detyrën ministrit të ri. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet demokratik, është qeveri pazaresh dhe si të tillë nuk mund ta pranojmë. Për më tepër, si funksion parësor i kësaj qeverie do të jetë copëtimi i Kosovës dhe shfrytëzimi i taksave dhe tatimeve të qytetarëve në të gjitha format mundshme kundërligjore”, tha ai.

Tutje Sallahu tha se kjo qeveri udhëhiqet nga Thaçi dhe aktgjykimin e nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese e cilëson si skandaloz dhe krejtësisht politik.

“Kjo qeveri e cila faktikisht udhëhiqet nga Hashim Thaçi, lirisht mund të quhet qeveri e copëtimit të territorit dhe gllabërimit të aseteve dhe parasë publike. Ne si Lëvizje VETËVENODSJE! do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjete demokratike për të ndalur çdo veprim kundërkushtetues dhe kundërligjor të kësaj qeverie të zgjedhur pas një aktgjykimi të nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese i cili po cilësohet tejet skandaloz dhe krejtësisht politik”.

Menu Title