[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Arsyetimi i Apelit për ndryshimin e vendimit të shkallës së parë për rastin “Pronto”



Gjykata e Apelit, me 30 qershor 2020, kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Pronto” dhe i kishte shpallur fajtor Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Adem Grabovcit, i cili ishte liruar nga akuza nga shkalla e parë, Apeli i ka shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve. Grabovcit i është hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ilhami Gashit i është shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale, ne kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij gjithashtu i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ndërsa Sedat Gashi është dënuar me dënim me burgim ne kohëzgjatje prej 8 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Kurse për të akuzuarit tjerë, Apeli e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke e vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër aktgjykimit të shkallë së parë, ankesë kishte parashtruar PSRK për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi lirimin, duke propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë dhe të akuzuarit t’i shpall fajtor apo të anulojë aktgjykimin dhe çështjen ta kthej në rigjykim dhe rivendosje.

PSRK në ankesën e saj kishte pretenduar se gjykata e shkallës së parë kishte bërë edhe shkelje procedurale, duke mos lejuar që përgjimet e të akuzuarve të dëgjohen në shqyrtim gjyqësore, duke i konsideruar si të administruara, prandaj sipas PSRK-së, ishte cenuar neni 344 të KPPRK-së, e cila dispozitë i jep të drejtë trupit gjykues që të riprodhoj incizimet në seancë të shqyrtimit, ku me mos administrimin e përgjimeve- CD-ve është nxjerr edhe konkluzion i gabuar.

Ndërkaq mbrojtësit e të akuzuarve kishin propozuar që Gjykata e Apelit të refuzojë ankesën e PSRK-së si të pabazuar dhe të vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë.

Gjykata së Apelit, pretendimet e PSRK-së në lidhje me moslejimin e dëgjimit të incizimeve duke i konsideruar si të administruara, i konsideron si të pabazuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Duke qenë se nga shkresat e lëndës asnjë nga të akuzuarit dhe asnjë nga mbrojtësit nuk kishin kundërshtuar përmbajtjen e Përgjimeve të telekomunikimit, për gjykatën e Apelit kjo në asnjë forme nuk ka minimizuar të drejtat e palëve në procedurë në rastin konkret as të Prokurorisë… duke qenë se trupi gjykues por edhe kolegji i kësaj gjykate ka pasur ne disponim CD-ën e përgjimeve të telekomunikimeve është e qartë se përmbajtja si e tillë, ka mundësuar që ta dëgjoj dhe analizoj përmbajtjen e përgjimeve te telekomunikimit, mbi këto rrethana është arritur edhe zbatimi i te vërtetës duke vlerësuar dhe analizuar CD-ën, e përgjimeve e po ashtu është arritur edhe parimi i drejtpërdrejt pasi qe gjykata me shqisën e të dëgjuarit ka arritur që të vlerësoj provën e tillë, në raport me faktet e pretenduara si në akuzë nga prokuroria, megjithatë ky kolegj ve në dukje se deri në një mase vet prokuroria ka pamundësuar administrimin e tillë te dëgjimit ne seance, pasi qe CD-ja si e tillë është dorëzuar si provë në gjykate si bruto përgjim, pra që rezulton se ka edhe komunikime ndër familjare të disa prej te akuzuarve qe për gjykatën fare nuk janë te rëndësishme”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Për faktin se kishte edhe biseda të pastra private dhe nga faktin se mbrojtja dhe të akuzuarit nuk e kishin kundërshtuar përmbajtjen e këtyre bisedave, sipas Apelit, konstatimi se CD-ja ishte dëgjuar ishte veprim i ligjshëm proceduralisht.

“Fakti tjetër me rëndësi që gjykata e Apelit duhet të qartësoj se të akuzuarit a ishin persona zyrtar, pra a kishin cilësinë e personit zyrtar. Gjykata vë në dukje se i akuzuari Adem Grabovci ishte person i zgjedhur përmes procesit zgjedhor, pra ai ishte Deputet ne Kuvendin e Republikës se Kosovës dhe Shef i grupit parlamentar, i akuzuari Ilhami Gashi ishte Sekretar pranë Ministrisë se Punëve te Brendshme (MPB), që ishte zgjedhur sipas procedurës ligjore për pozitën e tillë. I Akuzuari Sedat Gashi ishte Këshilltar politik pranë MPB-së, pra që ishte person i emëruar. Duke qenë se të akuzuarit kishin cilësi zyrtare, Apeli vë në dukje dhe një fakt se pozitat e tilla zyrtare që të akuzuarit kishin në kohën e kryerjes se veprës penale a kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare, apo kanë të bëjnë me keqpërdorim te autorizimeve, apo veprimet e tyre nuk munde te bien ne asnjërën nga këto, për shkak te natyrës se cilësive zyrtare të tyre”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në lidhje më të akuzuarin Adem Grabovci, sipas Apelit, pozita e tij e deputetit, detyrimet dhe autorizimet e tilla ishin të rregulluara me dispozita kushtetuese dhe me dispozita të ligjit për të drejtat dhe përgjegjësit e deputetit, ku në nenin 13 “Relacioni i deputetit me institucionet ekzekutive qendrore”, nuk shpërfaqet asnjë kompetence që një deputet të parashtroj çfarëdo kërkese tek institucionet ekzekutive për të krijuar çfarëdo privilegji në raport me ndonjë person apo grup personash.

“Në mungesë të kompetencës se tillë të deputetit, ku ligji i përcakton sjelljet dhe veprimet e deputetit te Kuvendit te Kosovës, për gjykatën e Apelit rezulton se kemi te bëjmë me keqpërdorimin e detyrave zyrtare nga i akuzuari, duke tejkaluar kompetencat e tij nga cilësia zyrtare e deputetit ne raport me personat qe shërbenin ne institucionet ekzekutive”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në lidhje me të akuzuarin Sadat Gashi, i cili kishte cilësinë këshilltar politik, sipas Apelit, bazuar në Rregulloren e punës së Qeverisë së Kosovës 9/2011, këshilltari politik konsiderohet si trup e ekzekutivit, pra që nuk hyn në domenin e fushës se rregullimit ligjor të shërbyesve civil.

“Duke qene se ai nuk kishte asnjë kompetencë me zyrtarët e shërbimit civil pranë MPB-së, për Gjykatën e Apelit rezulton se i akuzuari kishte keqpërdorur detyrën e tij pasi që tejkalimi i kompetencave përbën keqpërdorim te detyrës zyrtare, duke qene se ai nuk kishte asnjë detyrim ligjor dhe as të drejte për të ndër vepruar në raport me asnjë konkurs publik që hynë në kategorinë e shërbyesve civil”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndërsa në lidhje me të akuzuarin Ilhami Gashi, i cili kishte pasur pozitën e sekretarit të përhershëm pranë MPB-së, për Apelin veprimet e tij përbënin keqpërdorim te autorizimeve të tij zyrtare, prandaj sipas kësaj gjykate, për shkak të këtyre rrethanave dhe sipas nenin 120 të KPRK-së, tre të akuzuarit janë persona zyrtar.

Sipas Apelit, tre të akuzuarit duke bashkëpunuar përmes bisedave telefonike kishin krijuar privilegje për punësimin e Afrim Dautit në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil.

Apeli në arsyetimin e këtij aktgjykimi përmend disa përgjime të telekomunikimeve në mes të akuzuarve Adem Grabovi dhe Sedat Gashi, në të cilat përgjime sipas Apelit dy të akuzuarit kishin krijuar privilegje për Afrim Dautin dhe atë para se të shpallej edhe konkursi për vendimin e punës, ku pastaj kishte rezultuar se i njëjti ishte përzgjedhur edhe kishte pranuar akt-emërimin me 6 qershor 2013.

“Gjykata vlerëson se fakti që i akuzuari Gashti e pyeste të akuzuarin Grabovci se kënd e ke për Klinë ti, dhe i akuzuari Gashi i thekson Grabovcit se përfundimisht duhet të shkoj në atë pozitë, fakti se i akuzuari si sekretar i MPB-ës, Ilhami Gashi i pohon se” u kry u kry” dhe pastaj i pohon se “e kam lëne ashtu siç ti ke thënë”, për personin Afrim Dauti në pozitën e tillë zyrtare, provohet që të akuzuarit kishin bashkëvepruar dhe me marrëveshje ndërmjet tyre krijuan privilegje për Dautin që të përzgjidhej në pozitën e tillë zyrtare.

I Akuzuari Ilhami Gashi kishte premtuar tek i akuzuari Grabovci se Dauti do të shkonte përkundër se konkursi ende nuk ishte shpallur për pozitën e tillë zyrtare, në të kundërtën premtimi i tij kur i pohon “ u kry u kry” dhe pikërisht personi për të cilin i pohon se “u kry u kry” përzgjidhet vet premtimi i tillë, konsiston në keqpërdorim të autorizimit të të akuzuarit Ilhami Gashi brenda kompetencave të tij që edhe krijonte Komisionin vlerësues por edhe mbikëqyrte tërë shërbimin civil si Sekretar dhe se premtimi i tillë ishte edhe privilegji, përkatësisht përparësia për kandidatin e përzgjedhur që rezulton përfundimisht ku edhe caktohet në pozitën e tillë”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Tutje sipas Apelit, provohet se të akuzuarit Grabovci dhe Ilhami Gashi kishin bashkëpunuar për të krijuar privilegje për Blerim Camaj, për përzgjedhjen për pozitën e Kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Regjistrimit Civil-MPB.

Apeli përmendi edhe përgjimet mes tyre, që sipas kësaj gjykate provohet se të dy kishin bashkëpunuar për të krijuar privilegj dhe përparësi në raport me kandidatët e tjerë që ishin në proces konkurrimi, e të cilët kishin qenë më të dhëna personale që provohej se kishin aplikuar në këtë konkurs, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata ka parasysh faktin se kjo bisedë ishte zhvilluar me date 14.12.2011, ndërsa intervista e kandidateve ishte mbajtur me date 16.12.2014, që kur krahasohet me ditët kalendarike të muajit dhjetor, rezulton saktësisht e përputhshme biseda e të akuzuarve, kur i akuzuari Ilhami Gashi i thotë se intervista mbahet të premten, dhe pikërisht data 16 dhjetor 2011 kur ishte mbajtur intervista rezulton të ishte ditë e premte, siç edhe i akuzuari i pohon të akuzuarit Grabovci. Të gjitha këto rrethana për gjykatën provojnë faktin se ata kishin krijuar privilegje dhe përparësi për kandidatin Blerim Camaj ku përfundimisht edhe ishte përzgjedhur në pozitën e tillë me vendimin e Kryeministrit bazuar në rekomandimin e Komisionit ku Kryetar i Komisionit ishte i akuzuari Ilhami Gashi”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në lidhje me provat të cilat ishin pjesë e shkresave të lëndës, sipas Apelit, kjo gjykatë kishte vlerësuar besueshmërinë e këtyre provave, pasi të njëjtat nuk kishin kontradikta të theksuara ndërmjet tyre, por as për rrethanat e fakteve që pretendohet në aktakuzë.

“Gjykata e Apelit me rastin e shqyrtimit dhe gjetjes fajtor të të akuzuarve, ka vlerësuar të gjitha rrethanat renduese dhe lehtësuese ndaj te akuzuarve, ashtu që si rrethana renduese gjykata ka gjetur: Shkallën e përgjegjësisë penale ku rezulton se të akuzuarit vepruan me dashje direkte, pra që rezulton se ata kishin qëllime, dëshironin shkaktimin e pasojës konkrete dhe ndërmorën veprime kur për pasoj edhe rezultojë punësimi i dy personave që ishte fillimisht kërkesë e të akuzuarit Grabovci ndaj dy të akuzuarve tjerë dhe pastaj të akuzuarit Ilhami dhe Sadat Gashi i pohuan se kërkesa do te realizohej e që rezultojë se ishte realizuar”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndërsa si rrethanë tjetër renduese, sipas Apelit, ishte motivi i kryerjes se veprës, që të akuzuarit kishin synuar punësimin e personave duke i priviligjurar si dhe intensiteti i rrezikimit apo dëmtimit të mbrojtur, e që rezulton se sistemi juridik ishte cenuar rëndë, duke paracaktuar punësimin me emër dhe mbiemër të personave të caktuar.

Ndërsa si rrethana lehtësuese, Apeli kishte vlerësuar sjelljen e mëparshme të kryerësve, që nga shkresat e lëndës nuk rezultonin se ndonjëri nga ta kishin rënë ndesh me ligjin, sjelljen e tyre pas kryerjes se veprës penale, që rezulton se nga fillimi i hetimit e deri ne përfundimit e shqyrtimit gjyqësor të akuzuarit kishin sjellje korrekte gjatë gjykimit, se që të tre ishin familjarë.

Po ashtu, si rrethanë lehtësuese gjykata kishte gjetur periudhën kohore prej kohës së kryerjes së veprës penale e deri në marrjen e vendimit, që rezulton se kishin kaluar 9 vite nga veprimet e kundërligjshme të tyre. Po ashtu si rrethanë lehtësuese, Apeli kishte vlerësuar faktin se veprimet e të akuzuarve nuk ishin për qëllime të përfitimit personal, andaj për të gjitha këto rrethana gjykata ka vlerësuar se dënimi me kusht i përcaktuar ndaj të akuzuarve do të arrij qëllimin e dënimit

“Fakti se të akuzuarit veprën penale e kishin kryer kur ata kishin pozita zyrtare, Apeli ka vlerësuar edhe ka shqiptuar se ndaj te akuzuarve duhet te aplikohet edhe dënimi plotësues. Në raport me të akuzuarin Grabovci gjykata e gjen te arsyeshme dhe të domosdoshme shqiptimin e dënimit plotësues qe ti ndalohet e drejta për tu zgjedhur për periudhën 2 vjeçare dhe po ashtu qe ti ndalohet ushtrimi i funksionit publik për periudhën 2 vjeçare.

Po ashtu, për të akuzuarin Ilhami Gashi kjo gjykatë e gjen si të arsyeshme dhe të domosdoshme që të akuzuarit ti shqiptohet dënimi plotësues heqja e të drejtës për tu zgjedhur në periudhën 2 vjeçare dhe ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike apo shërbimin publik. Po ashtu, për të akuzuarin Sedat gjykata e pa parë të arsyeshme shqiptimin e dënimit plotësues pra ndalimin e ushtrimit te funksionit publik apo shërbimit publik ne kohëzgjatje prej 2 vitesh pasi qe rezulton se i akuzuari kishte keqpërdorur autorizime te tij, nga pozita zyrtare për veprën penale qe është gjetur fajtor”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndërsa për pjesën vërtetuese të aktgjykimit të shkallës së parë, sipas Apelit, në lidhje me pikën e aktakuzës ku Grabovci dhe Arbetina Pajazitaj akuzoheshin se në marrëveshje me të akuzuarin Xhavit Dakaj, i kishin dhënë privilegje të akuzuarës Pajazitaj për tu zgjedhur Kryeshefe Ekzekutive në Agjencionë për Produkte Medicinale, duke mohuar pjesëmarrësve të tjerë dhe duke i diskriminuar në atë pozitë, ku sipas renditjes së Komisionit përzgjedhës rezulton se ishte përzgjedhur Ilir Dushi.

Sipas Apelit, përmes bisedave të akuzuarit provohet se kishin pasur qëllim që të përzgjidhnin të akuzuarën Pajazitaj në këtë pozitë, por sipas kësaj gjykate në përgjime ishin shfaqur vetëm qëllimet e tyre, të cilat ishin veprime përgatitore, që sanksionohen në kuadër të nenit 27 të KPRK-së, gjë që në periudhën kohore kur të akuzuarit kishin vepruar nuk ishin paraparë si veprime inkriminuese veprimet e përgatitjes se veprës penale.

“Gjykata e Apelit pretendimin e akuzës se ata kanë tentuar qe ti krijojnë privilegje dhe përparësi në punësim, rezulton se veprimet e tentativës për gjykatën e Apelit nuk janë përmbushur, pasi që thelbësore tek tentativa është që të përmbushen të gjitha elementet e figurës se veprës penale, por që të mos jetë kryer vepra përkatësisht të mos jetë realizuar pasoja. Siç rezulton nga rrethanat faktike por edhe nga provat lidhur me piken 1 te dispozitivit te akuzës, gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme se nuk janë provuar elementet e veprës penale”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në lidhje me dispozitivin 4, ku përfshihen Adem Grabovci dhe Besim Beqaj, sipas Apelit, pretendimet e PSRK-së nuk ishin të bazuara, pasi për Apelin gjetjet e shkallës së parë dhe arsyet e dhëna në aktgjykim se nuk ishte provuar se të njëjtit kishin kryer veprën penale ishin të pranueshme.

“Duke mos pasur asnjë veprim konkret te ndërmarr nga ana e të akuzuarve, përveç komunikimit të tyre që provohet nga përgjimi i telekomunikimeve për këtë gjykate këto shpërfaqin vetëm qëllimin e të akuzuarve dhe marrëveshjen e tyre, por duke mos u materializuar qëllimi sipas marrëveshjes nuk mund të konsiderohet se vepra penale ka të bëjë me mbetjen në tentativë, por kjo gjykatë vlerëson se kemi të bëjmë me veprime përgatitore të të akuzuarve e që nuk janë materializuar asnjëherë me tej me ndonjë veprim të mëtejshëm për tu konsideruar se janë konsumuar elementet e veprës penale që të akuzuarve iu ngarkohen”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në lidhje me dispozitivin 5, ku përfshihen të akuzuarit Adem Grabovci dhe Nijazi Kryeziu, sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ishte i qartë dhe arsyet e dhëna ishin të qarta dhe të argumentuara.

“Prokuroria pretendon se Grabovci dhe Kryeziu kishin tentuar krijimin e privilegjeve dhe përparësive për punësimin e personave mbi bazën e përkatësisë politike që rezulton se kanë diskutuar për të privilegjuar Bahrie Besimin, Habib Elshanin dhe Esat Krasniqnin në Bordin e Drejtorëve në Ndërmarrjen publike Hidro regjioni në Prizren, mirëpo sipas vendimit të Qeverisë ka vendosur që të gjithë drejtorëve të Bordeve tu vazhdohet mandati. Gjykata e Apelit vlerëson se nuk rezultojnë të jenë kontestuese bisedat e zhvilluara ndërmjet të akuzuarve për personat që pretendon Prokuroria për anëtarë të Bordeve, rezulton qartë se ata kanë pasur qëllim për këta anëtarë të bordit për tu punësuar. Fakti me relevant për rrethanat e pretenduara është se a ishin te akuzuarit personat e tillë në mundësi për të përcaktuar privilegje për personat që dëshironin ti punësonin, për pasoj kjo e determinon edhe faktin se vepra penale a ka mbetur ne tentativë apo kemi te bëjmë me veprime përgatitore të të akuzuarve”, thuhet në vendimin e Apelit.

Lidhur me dispozitivin 6 ku përfshihen Adem Grabovci dhe Zenun Pajazitaj, edhe për këtë pikë të aktakuzës Apeli kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë ishte i qartë, i kuptueshëm dhe nuk kishte kundërthënie ndërmjet dispozitivit dhe arsyeve të dhëna nga shkalla e parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nga përshkrimi faktik i aktakuzës nuk rezulton asnjë veprim konkret të jetë konstatuar se është ndërmarrë nga të akuzuarit, përveç diskutimit që vërtetohen nëpërmjet përgjimeve te telekomunikimit, duke mos pasur asnjë veprim tjetër te përshkruar nga Prokuroria ne aktakuze ta kenë marre te akuzuarit ( siç munde të jenë, cili ishte privilegji që i dhanë te akuzuarit, personave qe pretendohet se u privilegjuan, kush ishin personat tjerë qe iu mohuan të drejtat dhe u diskriminuan dhe cila e drejtë konkrete iu mohua atyre për tu konsideruar se personat tjerë u diskriminuan, cila ishte natyra e diskriminimit… Gjykata e Apelit sërish rithekson se si të tilla ato shpërfaqin vetëm qëllimin e të akuzuarve, mirëpo qëllimi i te akuzuarve duke mos u materializuar, me veprime konkrete te mëtejme mbetet saktësisht brenda marrëveshjes se tyre dhe planifikimit e organizimit që si të tilla inkorporohen në nenin 27 paragrafi 2, e që janë të dënueshme vetëm kur shprehimisht parashihet dënimi për përgatitje te veprës penale, gjë qe për ketë vepër penale veprimet përgatitore nuk janë të dënueshme”, thuhet në vendimin e Apelit.

Edhe për pikën 7 të aktgjykimit ku përfshihen Adem Grabovci dhe Fatmir Shurdhaj, Apeli kishte vlerësuar se veprim i të akuzuarve ishte vetëm biseda telefonike mes tyre, për t’i dhënë privilegj Heset Sahitit për drejtor bordi në ndërmarrjen publike ujësjellësi “Prishtina”. Sipas kësaj gjykate, fakti se të akuzuarit kishin diskutuar në telefon, vërtetohet vetëm ekzistimi i qëllimit të tyre, marrëveshjen dhe planifikimin e kryerjes së veprës.

Në lidhje me pikën 8 ku përfshihen Grabovci dhe Ismet Nezaj, sipas Apelit, në aktgjykim gjykata e shkallës së parë drejtë kishte konstatuar se të akuzuarit me asnjë veprim konkret nuk i kishin dhënë askujt privilegje, kur dy të akuzuarin kishin diskutuar për punësimin e Bujar Kuklecit, pasi sipas Apelit kishte rezultuar se i akuzuari nuk kishte pasur asnjë pozitë zyrtare në konkursin e datës 31 tetor 2011.

Edhe për dispozitivin 9, ku përfshihen Grabovci dhe Rexhë Abazi, sipas Apelit, pretendimi i prokurorisë kur i akuzuari Grabovci i kishte thënë të akuzuarit Abazi që të konkurroj duke i thënë “qoj në dy, tre vena”, dhe që këto veprime të konsiderohen bashkëpunimi i tyre për krijimin e privilegjeve sipas Apelit ishin alogjike.

“Për Gjykatën e Apelit janë alogjike, nga fakti se përderisa vepra penale kryhet në dy forma duke i dhënë privilegj apo duke i mohuar ndonjë të drejte, po që se i akuzuari Grabovci do ti thoshte të mos aplikoj fare, kjo do të konsiderohej si mohim i të drejtës së të akuzuarit Abazi. Në anën tjetër nuk vihet në mëdyshje fakti se të akuzuarit njiheshin ndërmjet tyre dhe se i akuzuari Abazi e kishte thirrur Grabovcin për ta pyetur për aplikim, megjithatë kjo nuk konsiston në veprim penal të mbetur në tentativë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.

Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Menu Title