.
×

“Arsyetimet” e Brovinës: Brovina: Një seancë shterpe dhe pa përmbajtje nuk kishte kuptim



Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, tha për Radio Dukagjinin se seancën e sotme e ka shtyrë në mënyrë që presidentes t’i jap kohë që ajo përmes rolit të saj të gjejë zgjidhje të ngërçit politik.

E dëshpëruar me tërë situatën në vend, Flora Brovina e PDK-së mezi po pret që të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, në mënyrë që të largohet nga pozita e kryesueses së Kuvendit.

As ajo vet nuk e ka menduar se do të qëndroj kaq gjatë në këtë pozitë, duke thënë se roli i saj është vetëm formal.

Në një intervistë për radio Dukagjinin ajo ka shprehur dëshpërimin e saj me liderët e partive politike që nuk i janë përgjigjur ftesës së saj, dy herë radhazi, për t`u marrë vesh rreth datës së seancës dhe shtyrjes së saj.

“Roli im realisht është formal por asnjëherë nuk është menduar që të jetë aq i gjatë – as unë vetë”, ka thënë Brovina.

Se kur do të mund ta thërrasë seancën për konstituimin e Kuvendit ende nuk e din, por thotë që shtyrjen e sotme e ka bërë duke i dhënë kohë presidentes që të ushtrojë pozitën e saj, në mënyrë që të gjendet rrugë për tejkalimin e bllokadës politike.

“Presidentja nuk ka kërkuar nga unë që ta shtyj seancën ose ta anuloj. Por edhe një seancë shterpe dhe pa përmbajtje që do të kishte dështuar nuk kishte kuptim”, ka vlerësuar ajo.

Liderët e partive të Bllokut disa herë kanë akuzuar Flora Brovinën se po vendos në krye vete për thirrje ose shtyrje të seancave të Kuvendit.