.
×

Arrin mbi 80 numri i qytetarëve të helmuar në iftar në Drenas



Botapress 20 Maj – Policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës dhe Drejtorinë e Inspeksionit komunal në Drenas janë duke punuar për zbardhjen e rastit të helmimit të mbi 80 qytetarëve, të cilët kishin marrë ushqim për iftar nga një gjelltore në Drenas.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti tha se me rastin janë duke u marrë që disa ditë.

“Me datën 17.05.2019 e kemi pranuar një informatë, se në një lokal ne Drenas, dyshohet të jenë helmuar nga ushqimi disa persona. Informata është trajtuar nga ana e policisë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe institucionet përkatëse”.

“Lidhur me këtë ngjarje më 18 maj 2019 me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka thënë Ahmeti.

Zëdhënësja Ahmeti bëri të ditur se është intervistur edhe pronari i lokalit, dhe i njëjti pas intervistimit është liruar me procedurë të rregullt.

Për numrin e qytetarëve të helmuar, ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra. Ai në një deklaratë për media ka thënë se numri i të helmuarve arrin deri në 85.

Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka konfirmuar se aktualisht mostrat e ushqimit të gjetura në kuzhinën e lokalit, janë në laboratorë duke u testuar.