[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Arrestohet pronari i një depoje ushqimore në Gjilan, ndërronte afatin e artikujve dhe i shiste



 

Policia në Gjilan ka arrestuar pronarin e një depoje ushqimore, nën dyshimin se ka shitur produkte ushqimore me afat të skaduar dhe ka kryer veprën penale “Prodhim dhe vënje në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”.

Rasti ka ndodhur mesditën e së enjtes në rrugën “Beqir Musliu” në Gjilan.

“Me 29 Tetor  2020, Njësia Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion që vepron në Gjilan, përmes rrugëve operative ka pranuar një Informatë se një depo ushqimore që gjendet në rrugën “Beqir Musliu” këtu në Gjilan, i dyshimti pronari i saj posedon dhe shpërndan artikuj ushqimor nëpër qendra tregtare dhe në shitoret me pakicë në qytetin e Gjilanit dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia njofton se produktet ushqimore që shpërndaheshin nga i dyshuari, dyshohej se ishin me afat të skaduar dhe ishte dnërhyrë në shtyrjen e afatit të tyre.

“Dyshimi ishte bazuar në faktin se produktet ushqimore që shpërndaheshin nga i dyshuari, dyshohej se ishin me afat të skaduar dhe se i njëjti ka ndërhyrë në afatin e skadimit të artikujve të ndryshëm.  Policia e Kosovës njësiti Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion  me leje të prokurorit  kanë bërë një kontroll të detajuar në këtë depo”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, gjatë kontrollit të policisë në depon e të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar artikuj ushqimorë me afat të skaduar.

“Gjatë kontrollit, janë gjetur një sasi e konsiderueshme e artikujve të dyshuar ushqimorë që kanë qenë me afat të skaduar, të cilët artikuj janë konstatuara me  procesverbalin mbi inspektimin nga Drejtoria e Inspeksionit në Gjilan (Inspektorët e tregut), artikujt janë konfiskuar për asgjësim. Gjatë kontrollit kanë prezantuar edhe inspektorët e ATK-së, të cilët kanë bërë identifikimin e dokumenteve relevante”, thuhet në njoftimin e Policisë.

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është ndaluar në afat prej 48 orësh.

“Në lidhje me veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit me prezencë të avokatit mbrojtës. Pas intervistimit dhe fakteve të prezantuara, prokurori i shtetit ka nxjerr Aktvendim për ndalimin e të dyshuarit  në afat për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Gjilan. Policia e Kosovës njësitet hetuese janë  në fazën e grumbullimit të dëshmive shtesë që lidhen me rastin në fjalë”, thekson njoftimi.

Menu Title