[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Arrestohet Kreshnik S., i akuzuar për pirateri filmash, Gjermania pret ekstradimin e tij



Vëllezërit, Kreshnik dhe Kastriot S. fajësohen se së bashku me persona të tjerë e kanë udhëhequr faqen Kinox.to, përmes së cilës kanë shpërndarë në serverë të tjerë përmbajtje të kopjuara ilegalisht si filma etj.

 

Pas tri vitesh të kaluara në arrati, është arrestuar në Kosovë Kreshnik S., i dyshuar si njëri ndër udhëheqësit e portalit për distribuim ilegal të filmave, Kinox.to. Edhe më tutje në arrati ndodhet vëllai i Kreshnikut, Kastrioti, shkruajnë sot mediat gjermane dhe asutriake, të cilat i japin hapësirë të madhe këtij lajmi.

 

Kreshniku 24-vjeçar është arrestuar që në muajin qershor, në Prishtinë, ka bërë të ditur një zëdhënës i Prokurorisë së Përgjithshme të Dresdenit, Gjermani. Ai me këtë njoftim e ka konfirmuar lajmin e publikuar fillimisht në gazetën “Handelsblatt”.

 

Ndërkohë, kryeprokurori Oliver Moller ka njoftuar se në bashkëpunim me autoritetet kosovare tashmë janë duke u bërë përgatitjet për ekstradimin e personit të përmendur, transmeton albinfo.ch. “Hetimet do të vazhdojnë në Gjermani pasi që ai të jetë ekstraduar këtu”, ka shtuar ai.

 

I arrestuari së bashku me vëllain e tij katër vite më të vjetër, ishte në arrati që nga tetori i vitit 2014. Atëbotë, njësitet speciale të policisë kishin bastisur shtëpinë e prindërve të dy vëllezërve S., në Lübeck, ku jetonin edhe ata, por nuk kishin mundur t`i gjenin.

 

Kreshniku dhe Kastrioti fajësohen se së bashku me persona të tjerë e kanë udhëhequr faqen Kinox.to, përmes së cilës kanë shpërndarë në serverë të tjerë  përmbajtje të kopjuara ilegalisht si filma etj. Prokuroria i ngarkon ata, përveç për shkelje industriale të të drejtës së autorit edhe për bishtnim të pagesës së tatimeve.

Menu Title