.
×

Arrestimi i Xhabir Zharkut, policia jep detaje



Sot është arrestuar ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku nga Policia e Kosovës. Zharku është arrestuar për një lëndë të vitit 2010.

Ai u arrestua në aeroportin e Prishtinës derisa ishte duke udhëtuar për një aheng familjar në Gjermani.Zëdhëndësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Express se Zharku u arrestuar për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.“Sot, më 14.12.2019, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Ferizajt, ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në veprat penale:

‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe ‘Ushtrim i ndikimit’. Rasti dyshohet se ka ndodhur në vitin 2010 në Kaçanik. Me aktvendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Kelani.

Xhabir Zharku në vitin 2011 u dënua me tre vjet burgim për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtje pa leje.Pas konfirmimit të dënimit, Zharku u largua nga Kosova duke i ikur kështu shkuarjes në burg.Për gati 5 vjet e gjysmë ish-kryetari i Kaçanikut dhe ish-zyrtari i PDK-së (Partisë Demokratike të Kosovës), qëndroi në arrati në Suedi.

Më 7 qershor të 2018, Xhabir Zharku u kthye sërish në Kosovë pasi paraprakisht Gjykata Themelore e Ferizajt, dega në Kaçanik, nxori vendimin për ndalim të ekzekutimit të dënimit me burgim, ngase edhe lënda e tij ishte parashkruar.