.
×

“Arrestimet e para në Kosovë gjatë këtyre javëve”, flasin nga Gjykata Speciale



Botapress 18 Tetor – Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’së, Nasim Haradinaj, ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave apo javës që po vjen, Gjykata Speciale do të kryejë edhe arrestimet e para në Kosovë. Për këtë Haradinaj ka thënë se ka marrë informacione nga disa avokatë të cilët i njeh e të cilët punojnë në Gjykatën Speciale.

Lidhur me këto paralajmërime të numrit dy të OVL’së së UÇK’së për arrestime të mundshme nga Specialja përgjatë këtij muaji, Gazeta Express, përmes një emaili ka kërkuar një përgjigje nga Gjykata Speciale.

Christopher Bennet zëdhënës i kësaj Gjykate, ka thënë se për shkaqe etike dhe ligjore nuk mund t’i komentojnë çështjet operacionale, dhe nuk ka pranuar që të japë detaje rreth afateve kohore, se kur potencialisht mund të ketë edhe ndonjë vendim për ndjekje penale të ndonjë individi.

Ai tutje ka sqaruar që në rast se autorizohen mund të ndjekin penalisht individët, rreth krimeve të cilat pretendohen në Raportin e Këshillit Evropian të vitit 2011 e në të cilin flitet për “trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”.

“Gjykata Speciale nuk komenton çështjet operacionale apo afatet kohore për arsye, etike, profesionale e ligjore. SPO ka mandat për të hetuar dhe, nëse autorizohet, të ndjekë edhe penalisht individët për krimet e pretenduara në Raportin e Këshillit Evropian të janarit të vitit 2011 “Trajtimi çnjerëzor dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë ”, i cili do të vazhdojë të zbatohet”, ka thënë Benett për Gazetën Express.

Deklaratat për arrestime të mundshme të Speciales gjatë këtij muaji, Nasim Haradinaj, i kishte bërë të enjten.

“Në bazë të disa avokatëve me të cilët kemi bashkëpunim, sepse ne kemi bashkëpunim me ta , priten arrestime këtë jave dhe javën tjetër. Por nëse jo gjatë këtyre javëve, gjatë muajit gjithsesi”, kishte thënë Haradinaj.

E deklarata të njëjta sikurse të Haradinajt, kishte thënë edhe kreu i OVL’së, Hysni Gucati. Ai madje kishte specifikuar se Specialja gjatë tetorit do t’i arrestojë 3-4 persona.

Ndërkohë brenda të enjtes dhe të premtes në Kosovë kanë arritur edhe dy ftesa të reja nga Gjykata Speciale. Të enjten është ftuar ish-komandanti i FSK’së, Kadri Kastrati, i cili do të udhëtojë për në Hagë në javën e parë të nëntorit, ndërkohë sot është ftuar edhe ish-ushtari i UÇK’së, Nuredin Ibishi, i cili ka treguar se do të intervistohet nga Specialja në mesin e muajit nëntor. Deri tani numri i personave të ftuar nga Gjykata Speciale ka kaluar 100-shin, ndërkohë vetëm gjatë muajit nëntor kanë arritur rreth 25 ftesa.

Ndryshimet Kushtetuese që i kishin hapur rrugë krijimit të Gjykatës Speciale ishin votuar me shumicë votash në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 3 gusht të vitit 2015.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës i kishin thënë “PO”, themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.  Në momentin e votimit në seancë kishin qenë të pranishëm 117 deputetë./