.
×

Arjeta Lushi, vajzës 11 vjeçare të cilës, një ndeshje komunikacioni ia prishi rrugën e jetës



 

Arjeta Lushi është personazhi më fatkeq që ka pësuar në një ndeshje komunikacioni kur ishte vetëm 11 vjeçe.  Për drejtuesit e makinave ajo ka një porosi: Kujdes mos ua prishni rrugët e jetës, njerëzve të pafajshëm!

 

 

Bajrush Morina Botapress

Kretj çka mban në mend nga ngjarja e dhimbshme e 8 nëntorit të vitit 2000 është se me veturën përlotë me dasmore të tjera, ajo kishte kaluar Urën e Drtinit të Bardhë në Rugovë të Hasit. Pastaj…

Pastaj pas 5 javësh në gjendje kome,  ajo e ka parë veten në një dhomë, me plot aparatura mjekësore anash, mjekët mantelbardhë dhe nënën e përlotur…

Arjeta Lushi është një prej “viktimave” të gjalla të një aksidenti fatal, që ka ndodhur këtu e 18 vjet më parë. Ajo, bashkë me babain, nënën, vëllaun e motrat po merrte pjesë në dasmën e martesës së nipit të familjes së saj në fshatin Rugovë të Hasit. Arjeta, si më e vogla që ishte, ishte future në një makinë vetë e 10-ta. Ishte viti i parë pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe pak kush përfillte rregullat e komunikacionit siç janë leje e drejtimit të makinës apo numri i lejuar i udhëtarëve në makinë.

Një pakujdesi e drejtuesit të makinës dhe fundi i lumturisë fëminore të Arjeta Lushit

 

Por kjo dasëm e martesës së djalit të hallës së saj (motrës së babit) do të jetë fatale për Arjetën. Data e 8 nëntorit  të vitit 2000 do të jetë fundi i një fëmijërie të lumtur dhe fillimi i një jete me plot sakrifica, sëmundje, dhembje, mbijetesë….

Kur drejtuesi i makinës, në të cilën gjendej Arjeta dhe 9 të tjerë, të gjithë gra e vajza të dasmës,  tentoi të parakalonte kolonën e dasmorëvet të tjerë, mbi urë, në drejtim të tij po vinte në makinë e rëndë. Ai nuk pati “rrugë” tjetër, ose të përballej me makinën dhe kështu të përfundonte nën rrotat e makinës së rëndë, ose të përplasje jashtë rrugës. Zgjodhi “rrugën” e dytë, lëshoi rrugën dhe u rrokollis me makinë poshtë rrugës.

Arjeta, që ishte e ulur në “kepekun” e prapmë të makinës do të “fluturojë” nga makina…Të gjithë të tjerët do të lëndohen lehtë, vetëm Arjeta Lushi do të përplaset me kokë  dhe do të përgjaket….

Deri në këtë moment, jeta e Arjeta Lushit ka qenë normale, e zakonshme, si e moshatareve të saja  11 vjeçare. Ishte motra e tretë e famljes Lushi. Shkonte në shkollë si moshataret dhe moshatarët e saj. Po i shijonte ditët e para të lirisë së Kosovës. Luftën e kishte përjatuar si fëmijë. Policë e paramilitarë serbë ishin futur me dhunë në shtëpinë e familjes së saj. Para syve kishin vrarë vëllaun e babait të saj…Këto pamje të dhunës serbe edhe sot ajo i kujton. Ashtu siç e kujton edhe momentin fatkeq të kalimit të urës mbi Drinin e Bardhë në Rugovë të Hasit…

“Kemi qenë në dasëm të djalit të hallës, motrës së babit. E martonte djalin. Kur kam lindur unë, kjo hallë ka “ra në shtrat 6 javë” prej mërzisë. “Do të më mbetet vëllau pa hise” kishte thënë halla që atë ditë e martonte djalin…

Në vuturë kemi qenë 10 veta. Të gjitha lëmsh e truç. Unë si më e vogla kam qenë në “kipek” mrapa të makinës.  Me muzikë, me dajre, me daulle jemi nisur që ta marrim nusen. Kur kemi ardhë mbi urë, drejtuesi i makinës tentoi që t’i parakalonte makinat e tjera të dasmës, tentoi që të dilte i pari. Por kur po e ngiste veturën me shpejtësi, përnjëhrë, përballë veturës tonë u shfaq një kamion i madh. Drejtuesi i makinës, në përpjekje që të mos ndeshej ballë për ballë me makinën dhe në tentimin që të mos godiste ndonjë nga makinat për anash, lëshoi rrugën dhe u rrokullisëm poshtë rrugës.  Unë krejt çka mbaj mend është fakti se e kemi kaluar urën e Rugovës. Pastaj….

…Pastaj pas 5 javësh në spital, më ka ardhë vetëdija. Kam nisur të flas nga pak. Kam parë veten se gjendem në spital. Kam parë nënën te koka dhe familjarët e tjerë, edhe motrat medicinale….

Më vonë, pas disa javësh kam marrë vesh se kam qarë kokën prej ballit deri në pjesën e prapme. Më kanë dërguar në spitalin e Gjakovës e prej atje me helikopter në bazën e KFOR-it britanik në Prishtinë. Aty më kanë bërë operacion. Më kanë qepur kokën dhe pas operacionit më kanë transferuar në Qendrën Kirurgjike (QKU) të Prishtinës. Aty, pas 5 javësh në gjendje kome më ka ardhë vetëdija….

Në fletëlëshimin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës shkruan diagnoza : Coma cerebri postraumatica”

 

Pas aksidentit, jeta e Arjetës merr kahje tjetër…

 

Arejta Lushi arrin të mbijetojë këtë fatkeqësi komunikacioni, por me pasoja.  Ajo ka probleme në të ecur, por ngapak edhe në të folur.  Në mars të vitit të kaluar ka bërë operacionin e parë te doktor Selajdin Boshnjaku.  Një operacion tjetër e ka paraparë edhe këto ditë. Por ajo është e nxënë me temën e diplomës së masterit në Administrim të Biznesit në Universitetin “Ukshin Hoti” të Prizrenit.  “Do ta përfundoj temën, do të diplomoj e pastaj do të hyjë në operacionin e dytë…” thotë Arjeta në një rrëfim ekskluziv për Botapress.

Arjeta Lushi më 7 qershor të këtij viti do t’i mbushë 29 vjet. Pas këtij aksidenti fatal, jeta e saj ka marrë një kahje tjetër, të padëshirueshme nga ajo, por…

 

Porosia e Arjetës për drejtuesit e makinave: Kujdes jeta është më e shtrenjtë se makina!

 

….Por Arjeta Lushi nuk dorëzohet. Ajo shpreson të përfundojë studimet, të kryejë edhe operacionin e radhës dhe të gjej një vend pune ku do të bëhej e zoja e vetes, e jo rast social i shtetit të Kosovës.

“Unë jam pajtuar me fatin e jetës time, por nuk dorëzohem. Unë lus gjithë drejtuesit e makinave, udhëtarët dhe bashkudhëtarët e makinave që të shtojnë kujdesin në vozitje. Një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë një fatkeqësi të madhe.  Unë kam pësuar vetë nga kjo pakujdesi. Jeta ime ka marrë një kahje tjetër, pa dëshirën time, pa vullnetin tim. E di, unë po i vuaj pasojat e aksidentit fatal, por bashkë me mua po vuajnë edhe familja ime.  Por unë nuk do të ndalem. Edhe me këta hapat e mi të vegjël dua të arrij diçka në jetën time. Zoti e paska shkruar që unë të “zvarritem” nëpër rrugët e jetës plot me sfida.  Edhe unë isha si gjithë të tjerët. Një vajzë e urtë që shkonte në shkollë, që i bënte  me rregull detyrat e shtëpisë, që kthehej nga shkolla me vrap dhe që mblidhja lule në pranverë në livadhin e jetës bashkë me moshataret e mia.  Por…

…Por ky nuk është tregimi i fundit i jetës time. Edhe unë dua ta jetoj jetën time. Nuk dua të jem barrë e familjes,  nuk dua të jem rast social për shtetin. Do të përfundojë fakultetin dhe shpresoj se do të trajtohem si gjithë të tjerët në punësim.  Edhe unë jam si gjithë të tjerët”, thotë në rrëfimin e saj për Botapress, Arjeta Lushi, vajza që u bë “viktimë” e një fatkeqësie komunikacioni.