Pohimet e Arëbërie Nagavcit në videon e përgjuar të publikuar në mjetet e informimit publik, se Vjosa Osmani nuk ka me pasë deputet dhe se vetëm mund të marrë deputet nga VV-ja, janë plotësisht të bazuara dhe të sakta. Ndërsa deklarata se Faton Peci ka vota dhe bazë elektorale, është tërësisht e pavërtetë. Faton Peci në Degën e LDK-së asnjëherë nuk ka çuar peshë, përveç se është shërbyer me të pa vërteta dhe e ka manipuluar opinionin me deklarata pompoze e boshe si përpjekje për të krijuar një imazh të një figura të rëndësishme në LDK-, që asnjëherë nuk ka qenë.
Faton Peci është një karrierist i pa përmirësueshëm dhe një dështak i nëntëfishtë, pasi që i ka humbur me votë të lirë të anëtarësisë së LDK-së në Mitrovicë, të gjitha betejat e filluara, e të cilat siç thash janë nëntë sosh (9).
Po fillojmë me radhë. Betejën e parë Peci e ka humbur në përpjekjet për të drejtuar Forumin e Rinisë të Degës së LDK-së në Mitrovicë, nga kryetari aktual i kësaj dege, Safet Kamberi. Fatoni kishte bërë fushatë ndër të rinjtë e LDK-së të Mitrovicës për t’i bindur që të votojnë atë për kryetar të Forumit Rinor, por që kishte arritur të marrë mbështetjen e vetëm tre vetave. Duke parë se nuk pati sukses, ai në tubimin për zgjedhjen e kryetarit të FR të Degës së LDK-së tërhiqet nga gara.
Garën e ka humbur edhe në përpjekjet për tu bërë kryetar i FR të LDK-së në Prishtinë, pasi që ishte eliminuar nga strukturat e LDK-së ende pa u mbajt kuvendi zgjedhor i të rinjve.
Humbjen e radhës, pra të tretën, Fatos Pecit ia shkaktoi Sadri Ferati në garën për kryetar të degës së LDK-së në Mitrovicë.
Dy humbje të tjera Peci i pësoi nga Safet Kamberi në garën po ashtu për kryetar të Degës së LDK-së në Mitrovicë, që do të thotë se u bënë pesë dështime të një pas njëshme.
Dështimin e gjashtë, Faton Peci e pësoi nga Mehdi Jonuzi në garën për kryetar të Mitrovicës, pasi që Kryesia e Degës së LDK-së me shumicën dërrmuese të votave kishte marrë vendim që Jonuzi të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Mitrovicës dhe jo Peci. Kjo ishte humbja e gjashtë e Pecit në Degën e LDK-së në Mitrovicë.
Ndërsa tri humbje apo dështime të turpshme, Faton Peci i pësoi në garën për tu bërë deputet i Kuvendit të Kosovës. Janë këto nëntë humbjet e alamet “veprimtarit” të devotshëm Vjosa Osmanit.
Dhe në fund dua të shtoj se në Mitrovicë nuk ka kurrfarë entuziazmi të anëtarësisë së LDK-së, për t’iu bashkuar listës së “famshme” të paralajmëruar të Vjosa Osmanit për zgjedhjet e 14 shkurtit, në të cilën ka vetëm një kandidate të denjë dhe të respektuar e që është Donika Gërvalla.
Hysni Syla, anëtarë i Kryesisë dhe zëdhënës i Degës së LDK në Mitrovicë