.
×

Arben Gecaj: Ja emrat e gazetarëve për të cilët Vetëvendosje po shpif dhe më akuzon se u kam dhënë informacione



Arben Gecaj, njëri nga zyrtarët e lartë të Vetvendosje! i cili u përjashtua nga partia para disa ditësh, u ka dërguar një letër publike “votuesve të tij” ku ai potencon arsye “skandaloze” për përjashtimin e tij.

Gecaj në letrën që e ka dërguar në media thotë se zyrtarët e Vetvendosje! e ka arsyetuar në elektorat përjashtimin e tij me akuzën se ai po bashkëpunonte kundër partisë me disa nga figurat publike të Kosovës, gazetarët, publicistët dhe opinionistët: Adriatik Kelmendi, Baton Haxhiu, Arben Ahmeti dhe Astrit Gashi.

“Kulmi i funksionimit jodemokratik ndodhi me shpifjet se gjoja unë kam “informuar gazetarët për aktivitetet e brendshme të LVV”. Para anëtarëve dhe sipatizantëve të Deçanit dhe Prishtinës janë përmendur Adriatik Kelmendi, Baton Haxhiu, Arben Ahmeti dhe Astrit Gashit si gazetarë të cilët na i paskam informuar për punët e organizatës sonë! Po ashtu është thëne se këta persona kanë pranuar se kanë marr informacione nga unë mbi strukturen, strategjinë dhe organizimin e levizjes. Ky është argumenti dhe arësyeja pse une jam përjashtuar. Unë do të jam i detyruar të bëjë thirrje personave të lartëpërmendur, të sqarojnë se kush ka të drejtë të thirret në emër të tyre për të bërë linqime politike. Shpifjet e kësaj natyre kalojnë fomën jodemokratike të funksionimit. Denoncimet si “armik i brendshëm” dhe drejtimi i gishtit te “armiku i jashtëm” janë të njohura në praktikat diktatoriale, sidomos të atyre të tipit stalinist të veprimit” shkruan Gecaj.
Më poshtë po e sjellim të plotë letërën e Gecajt:
Po bëhen disa javë që po ballafaqohem me etiketime, shantazhe dhe forma më të ulëta të presionit nga disa persona të cilët emëruan vehten e tyre në funksionet më të larta të Lëvizjes.
E vetmja arsye e këtij presioni të pakuptimtë qëndron në përpjekjet që të më bëjnë të heshtë lidhur me devijimet që kanë marrë përmasa dramatike në organizatën tonë.
Devijimi kryesor ndaj të cilit e kam ngritur zërin qe disa muaj rresht është funksionimi jodemokratik i LVV dhe devijimi i saj total nga qëllimet fillestare.
Në të gjitha forumet e organizatës kam insistuar që të mbahen premtimet e dhëna për zgjedhjet e brendshme, përmes të cilave do të dilnin organet legjitime të LVV. Ata që ishin emëruar në funksione kyçe dhe të cilët kishin frikë nga zgjedhjet e brendshme se mos i humbin privilegjet që u kishte kjo formë e e nominimeve në organet drejtuese u vërsulën kundër secilit që insistonte të mbaheshin zgjedhjet brenda lëvizjes sonë.
I bindur se nuk ka paradoks më të madh për një forcë politike që pretendon të demokratizojë vendin të insistojë që në organizimin e vet të mbajë format jodemokratike të përfaqësimit, unë kam insistuar që t’u hapet rruga të gjithë atyre kuadrove, anëtarëve dhe simpatizantëve tanë, të cilët me votat dhe angazhimin e tyre bënë që ne të përfaqësohemi si forca e tretë politike.
Shpërbërja e strukturave nga të nominuarit nuk do të thotë asgjë tjetër pos përbuzje ndaj atyre që i dhanë forcën Lëvizjes. Nëse ata mendojnë që duke i dërguar nëpër shtëpitë e veta ata që i siguruan votat dhe mbështetjen për Lëvizjen dhe të presin derisa t’u duhen për zgjedhjet e ardhshme unë u kam thënë dhe po ua përsëris se kjo formë e funksionimit jo vetëm që nuk është demokratike, por është skajshmërisht e pamoralshme. Ata që siguruan mbështetjen dhe votat për Lëvizjen kanë të drejtë të thirren dhe të flasin në emër të Lëvizjes më shumë se ata që u nominuan dhe që nga Lëvizja patën vetëm privilegje.
Në shenjë mirnjohje dhe respekti për 4970 votuesit që më besuan duke më votuar mua dhe duke respektuar votuesit që votuan për të gjithë kandidatët tonë unë kam kundërshtuar dhe kundërshtoj shpërbërjen e strukturave dhe mosmbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e organizatës.
Kulmi i funksionimit jodemokratik ndodhi me shpifjet se gjoja unë kam “informuar gazetarët për aktivitetet e brendshme të LVV”. Para anëtarëve dhe sipatizantëve të Deçanit dhe Prishtinës janë përmendur Adriatik Kelmendi, Baton Haxhiu, Arben Ahmeti dhe Astrit Gashit si gazetarë të cilët na i paskam informuar për punët e organizatës sonë! Po ashtu është thëne se këta persona kanë pranuar se kanë marr informacione nga unë mbi strukturen, strategjinë dhe organizimin e levizjes. Ky është argumenti dhe arësyeja pse une jam përjashtuar. Unë do të jam i detyruar të bëjë thirrje personave të lartëpërmendur, të sqarojnë se kush ka të drejtë të thirret në emër të tyre për të bërë linqime politike.
Shpifjet e kësaj natyre kalojnë fomën jodemokratike të funksionimit. Denoncimet si “armik i brendshëm” dhe drejtimi i gishtit te “armiku i jashtëm” janë të njohura në praktikat diktatoriale, sidomos të atyre të tipit stalinist të veprimit.
Nëse të emëruarit e LVV mendojnë se përmes përjashtimeve dhe ngulfatjes së demokracisë së brendshme të organizatës dhe përmes shpifjeve të tipit stalinist do të arrijnë sukseset personale, u them se këtë gjë duhet ta harrojnë. Anëtarët dhe simpatizantët e lëvizjes janë ata që vetë vendosin se si do të rrjedhin gjërat në organizatën tonë.
Falenderoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LVV që në këto momente të veshtira për mua më dhanë mbështetjen e tyre. Në veçanti falenderoj Fatos Aliun , njërin nga themeluesit e LVV i cili ngriti zërin kundër devijimeve dhe linçimeve të tipit jodemokratik.
Arben Gecaj