.
×

Apple pritet t’i sjellë katër modele të reja të iPhone më 2020



Një raport i kompanisë JPMorgan zbulon që Apple, në përpjekje për të përforcuar shitjen e iPhone, do të publikojë katër telefona gjatë vitit 2020.

Analistët besojnë që kompania nga Kupertino do të sjellë tri modele të reja OLED me modem 5G, dhe të paktën dy prej tyre do të kenë kamera ToF, përcjell GSMArena.

Apple zakonisht i publikon telefonat në shtator, para sezonit të festave të fundvitit, ndërsa tashmë e dimë që sivjet do të prezantohen tre telefona me sistemin e kamerave që është i pazakonshëm por i përmirësuar.

Analistët e JPMorgan po ashtu besojnë që Apple vitin tjetër do të synojë segmentin më të volitshëm me modelin që ka madhësi si iPhone 8, por vjen pa modemin 5G dhe me çmim më të ulët.

Pritet që tre telefonat e segmentit Premium do të kenë madhësi ekrani prej 5,4, 6,1 dhe 6,7 inçësh.

Besohet që kjo do të mundësojë përmirësimin e shitjeve nga 195 milionë njësive të planifikuara gjatë vitit 2020 kundrejt 180 milion sa priten gjatë vitit 2019.