.
×

Apostolova demanton Thaçin për Specialen: Jep një lajm të mirë për vizat



 

 

Shefja e BE-së Natalia Apostolova ka takuar shefin e grupit parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi dhe tre kryetarët e komisioneve që kjo parti udhëheq. Krasniqi tha se agjenda evropiane për ta si parti është prioritet.

Ndërsa Apostolova tha se prezenca e tyre sot tregon se janë të zotuar që t’i ndihmojnë Kosovës në rrugën evropiane. Ajo theksoi se kjo javë për të është zbatimi i ligjit. Apostolova tha se humbja e tre muajve deri në themelimin e institucioneve ka qenë humbje e madhe në përmbushjen e agjendës evropiane.

Shefja e BE-së shtoi se dokumenti kryesor mbi të cilin do ta ndërtojnë bashkëpunimin është MSA-ja. Apostolova tha se ata janë realist dhe rruga do të jetë me pengesa dhe se Kosova do të përballet me pengesa.
Ajo ka thirrur Parlamentin që të miratojë projektligjet pavarësisht se partitë janë fushatë, derisa i ka bërë ftesë të njëjtë edhe opozitës sepse sipas saj duhet të jetë konstruktive.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane Blerta Deliu, tha se në agjendën e komisionit do të jetë agjenda legjislative dhe ajo qeveritare për agjendën evropiane. Deliu tha se zbatimi i ligjit do të jetë po ashtu prioritet për ta. Ajo premtoj se do ta përmbushin secilin kriter që përafron Kosovën në agjendën evropiane.

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik Sala Berisha-Shala tha se qytetarët janë të frustruar për shkak të mungesës së lëvizjes së lirë dhe getoizimit që po iu bëhet, ani pse ata janë të obliguar ti plotësojnë kriteret. Ajo kërkoi nga BE që ti ndihmoj në kryerjen e detyrave.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media Nait Hasani, tha se janë të padrejta kushtet e BE-së që për liberalizim të jetë Specialja, demarkacioni dhe Korrupsioni sepse korrupsioni është çështje e përhershme.

Hasani shtoi se BE i ka dhënë Ukrainës liberalizim që është në luftë me Rusinë derisa Kosova shtet i vogël që është stabile. Ndërsa e ka quajtur të papranueshme trysnin ndaj liderëve të vendit nga BE-ja për miratimin e speciales e cila sipas tij është e njëanshme.

Shefja e BE-së Apostolova tha se disa reforma janë vonuar. Ajo paraqiti shqetësimin me numrin e madh të agjencioneve të pavarura dhe zgjedhjen e bordeve të tyre të cilat bëhen me nepotizëm. Për liberalizimin e vizave ajo theksoi se janë këtu me të dy kushtet edhe lufta ndaj korrupsionit edhe demarkacioni. Ajo pa dashur të polemizoj me Hasanin, tha se nuk ka lidhje puna e Speciales me liberalizimin e vizave e as me themelimin e ushtrisë. Apostolova tha se duhet të ikin nga këto polemika dhe ta lënë Specialen ta bëjë punën e vet.

Por Hasani pyeti Apostolovën pse veç Kosovës iu ka vënë kushti i demarkacionit për liberalizim. Sipas tij çfarë kushti tjetër do të jetë BE kur Kosova do ta bëjë demarkacionin me Serbinë.

Hasani e quajti kusht politik demarkacionin.

Madje sipas Hasanit BE nuk e njeh Kosovën shtet të qytetarëve të saj por si shtet të shqiptarëve dhe serbëve.

Apostolova përsëri mori fjalën duke thënë se demarkacioni nuk është kriter politik i vendosur për ta mbajtur Kosovën larg liberalizimit por ka qenë teknik. Ajo e quajti të pikëllueshme politizimin e kësaj çështje sepse po të ishte kryer tashmë do të ishin në një stad tjetër. Ajo tha se nuk ka mundësi që BE ta ndërroj kriterin dhe se demarkimi mbetet kriter për liberalizim.