.
×

Anton Quni uron qytetarët për festën e Bajramit



Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren dhe njëkohësisht deputeti i kësaj partie, Anton Quni, në një shkrim të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka uruar qytetarët e Kosovës për festën e Kurban Bajramit. Ai bën të ditur se ka vizituar Bashkësinë Islame në Prizren, për t’ia përcjellë urimet.

Ai ka bërë të ditur se në takim me Orhan Bislimajn për të përcjellë urimet, kanë qenë të pranishëm edhe anëtarët e tjerë të LDK’së. Ndër ta, edhe Hatim Baxhaku, kandidatin e LDK’së për kryetar komune, Sadije Osaj-Jakupin, kryetare e grupit të grave të LDK’së në Prizren dhe aktivistë të tjerë partiakë.

Shkrimi i plotë:

Sot, kur bashkëqytetarët e besimit islam po e festojnë Bajramin e Vogël, në cilësinë e kryetarit të degës së LDK-së, me bashkëpunëtorët e mi, vizitova Këshillin e Bashkësisë Islame për Prizren, ku përmes kryeimamit Orhan Bislimaj, kryetarit Besim Berisha dhe bashkëpunëtorëve, ua përcolla urimet për këtë festë të shenjtë për gjithë komunitetin islam.

Kosova ka qenë dhe do të mbetet tolerante në harmoni të plotë në mes të besimeve, ashtu siç e ka dëshmuar gjithherë, ndërkaq roli i Bashkësisë Islame ka qenë i rëndësishëm, prandaj edhe një herë sot jemi të gjithë të bashkuar me shpirt dhe frymë të mirëkuptimit dhe solidaritetit.

Uroj nga zemra të ketë gëzime, shëndet e mirëqenje në çdo familje në Prizren, Kosovë dhe kudo!