.
×

Ankohet Eroll Salihu: “Politikanët nuk paguajnë biletat VIP, nuk mund të vazhdojmë kështu”



Përfaqësuesja e Kosovës zgjoi interesim të madh nga të gjithë në javën e fundit, si te politikanët, artistët, sportistët e të tjerët.

“Dardanët” zhvilluan një miqësore më 21 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku katër ditë më vonë e filluan ciklin eliminator të Kampionatit Evropian “Euro 2020” ndaj Bullgarisë poashtu në Prishtinë, shkruan Zëri.

Ndërkaq, në mesin e shumë tifozëve të pranishëm në stadium, tribuna VIP kryesisht përbëhej nga politikanët e Kosovës.

Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Fatmir Sejdiu, Shpend Ahmeti, Ramush Haradinaj, Abelard Tahiri, Kujtim Gashi e Uran Ismaili ishin ndër politikanët e pranishëm mbrëmë në stadium për ta përkrahur Përfaqësuesen e Kosovës.

Por, kritika të shumta për politikanët kosovar ka sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.

Salihu ka treguar se politikanët e Kosovës nuk kanë paguar për bileta, duke u lajmëruar në FFK si instuticion për të krijuar shpenzime të mëdha.

“Ajo që është shqetësuese është puna e biletave, kemi shumë probleme me biletat. Jemi duke e shqyrtuar që të gjitha biletat të dalin në shitje që edhe punëtorët e Federatës nëse duan të futen në stadium, ta blejnë biletën”, u shpreh fillimisht Eroll Salihu.

“Ka shumë shpenzime për VIP, shumë instuticione lajmërohen për bileta dhe ne nuk mundemi të vazhdojmë kështu. Po mendojmë ta gjejmë një zgjidhje”, vlerësoi Eroll Salihu.

Tutje, Eroll Salihu tregon edhe për vështirësitë që ka pasur në ndeshjen e djeshme kundër Bullgarisë, duke thënë se ka qenë i ulur në një pozicion të papërshtatshëm në tribunën VIP.

“Personalisht, kam qenë i ulur në fund të tribunës VIP në mes të dyja karrigeve që të mos më shoh askush. Secili e shikon interesin e vet dhe nuk interesohen për Federatën. Po shqyrtojmë mundësinë që të gjitha biletat VIP t’i bëjmë me pagesë dhe kush do të vijë, me ngrënë e me pi, le të paguan. Është e pandershme që dikush të vijë dhe të kërkojë bileta në emër të instuticionit”, përfundoi Eroll Salihu.