.
×

Anë e kënd Shqipërisë (1) Një raki rrushi = 50 lekë, më lirë s’e ke as në Shtime



Shkruan: Agim Muhaxheri

 

Udhëtimi deri në Sarandë, kah Gjirokastra, me disa ndërprerje na zgjati nëntë orë. Në këtë qytet – unazë – rrugët i ke “disa katëshe”, sillesh si në ringishpil. Një drekë përgjatë detit Jon kushton 5 – 7 euro. Ndërkaq, rakia është bagatellë… Kamarierit prizrenas në Sarandë, Arian Brahajt i them: “Rrina gati, sillnaj Kuqalashet, se ta thejmë kafen…”. Gratë e shtyera në moshë janë të veshura në të zeza, traditë kjo e lashtë e kësaj ane.

—————————-

 

 

Pak para orës 3 të mëngjesit, të 4 shtatorit, marrim udhë për në bregdetin shqiptar. Nisemi nga Mitrovica me dajën Gëzim (Rrecaj), birin e tij Rronin dhe djalin e dajës së tyre Engjëll Sahitin. Marshuta jonë ishte: Durrës – Fier – Gjirokastër – Sarandë – Vlorë.

Udhëtimi deri në Sarandë, me disa pushime zgjati nëntë orë.

Emrin Sarandë e mban mbesa ime, vajza e vëllait Milaimit, e cila rron në Malmo të Suedisë…

Ne e hapim, e mbyllim plazhin në bregdetin shqiptar.

Ndonëse java e parë e shtatorit ishte me mot të vrantë, daja u shpreh: “Edhe çekiça me ra, s’bën pa shkue me ia dhënë hakun detit…”.

Unë isha komandanti, Rroni – shefi i marshutës.

Daja e ngiste makinën e tij “Audi 6”. Në dalje të Fushë Kosovës, te një pikë karburanti pasi i çelëm sytë me nga një makiato, ia mbushim fytin makinës.

Këta tanët, në Vërmicë e kishin hapur shtegun, nuk e kontrollonin askë, ndërkaq në pikën kufitare të Shqipërisë polici i kontrolloi kartat e identitetit dhe na dëshiroi pushim të këndshëm.

Bëja shaka me dajën, të mos e zë gjumi. Megjithkëtë ai nisi të kotej, i ‘shiste specat’… Këtij i them: A u lodhe, dajë ? Ndale makinën, po pushojmë, dëgjoj urdhërat… Urdhërin e çoi në vend. Pushojmë nja një orë skaj një pike të karburantit. Tash i kam mbushur bateritë, jam këndellur, me tha ai. Ia shkel deri në Durrës. Këtu ngrejmë byrekë të nxehtë…  Rroni e Engji e ‘prekin’ detin.

I shohim dilerët që i thenin lekët me euro. Një euro e merrnin për 131 lekë. Ndonëse ishte mëngjes, vërejmë pak pushues.

Ndalemi në Gjirokastër. “Kullerave” Rronit e Engjit, basketbollistë iu them: Këtu lindën Eqrem Çabej,  Enver Hoxha dhe Ismail Kadare.

Shkëpus një hollësi. Aty afër shtëpisë – muze të Kadaresë gjendet Sokaku i të Marrëve. Këtu lindi Enveri. Këtë fakt e mësuam nga ti, ma kthyen ata.

Në dalje të Gjirokastrës, ndalemi afër një kodre nga e cila rridhte ujë. Këtë vend e quajnë Uji i Ftohtë i Tepelenës. Hypim në katin e dytë të restorantit. Në banak shoh kamarieren, një grua e shtyer në moshë, e veshur në të zeza. Daja përshpërit: Po e thërrasim këtë nanën të na sjellë ndonjë pije të ftohtë.

– Çfarë birra keni, zonjë ? – i them kamarieres.

– Kemi Amstel, Heineken…

– Nuk keni Kuqalashe ?

– Jo.

– Sillnaj një Amstel e një Heineken, këtyre çunave nga një lëng “Fanta”.

Shoqëruesit i bëj me dije: Në jug të Shqipërisë, gratë e shtyera në moshë janë të veshura në të zeza… Kjo është një traditë e lashtë këtu.

Rruga gjarpërore, thikë përpjetë, drejt Sarandës nuk na lodhi, pasi daja Gëzim për të na këndellur lëshoi CD-në e këngëtarit shkodran Bujar Qamilit, këngën Moj Saranda moj delvine. Në të hyrë të këtij qyteti – unazë, dëgjojmë radiostacionet në gjuhën greke…

– O Gim, jemi në Greqi, a Shqipëri ? – tha daja.

Rruga prej Mitrovicës deri në Sarandë ishte e gjatë 540 kilometra.

Qyteti i Sarandës ka rrugët ‘disa katëshe’, sillesh këtu si në ringishpil. Këtu ushtonte muzika në orët e mbrëmjes. Rroni e Engji vajtën në një restorant të të rinjve. Ndërsa unë e daja Gezim u ndalëm në një restorant tjetër. Daja u fut në muhabet me një roje të restorantit, i dehur, i bërë tapë. Ai shfrynte mllefin për pagën e ultë që e ka, pastaj lavdërohej. Daja ia bëntë rafsh. I thoshte: bravo ! Ky ish- polic i kohës së Enverit na u drejtua: Ju të Kosovës jeni patriotë… Faleminderit, po i derdhni paratë te ne…

Në restorantin “Gjakova”, ngrëjmë mëngjesin. Kamarieri Arian Brahaj nga Prizreni na i servoi omletët. Këtij i them: Rrina gati, sillnaj birrat Kuqalashe, se ta thejmë kafen….

Ariani, ky djalosh simpatik ia plasi gazit… I treguam se jemi nga Mitrovica e Kaçaniku.

I them: Ke mendjen, nuk sillesh mirë, të bëjmë paçavurë në gazetë…

Turizmi është i lirë në Shqipëri, bagatellë, siç thonë italianët. Dreka kushton 5 – 7 euro për një person. Një kafe turke e ke 50 lekë, po kaq kushton një teke raki rrushi. Kaq lirë s’e ke as në Shtime.

(Vijon)