.
×

Andin Hoti tregon takimin e fundit me të atin



Andin Hoti foli për jetën dhe veprën e babait të tij. E për zhdukjen e tij thotë që institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm.

“Duke filluar nga institucionet nderkombetare që janë përgjegjese për presion ndaj Serbisë dhe institucioneve të Kosovës kanë flejtë deri tani për të zbardhur çështjen e të zhdukurve. Kjo çështje nuk është marrë me seriozitet. Unë kam shpresë që në dialogun me Serbinë, përmes presionit të BE-së dhe SHBA-ve të kushtëzohet Serbia dhe t’i hapë arkivat.”

Ukshin Hoti më 16 maj të 1999 u lirua nga burgu e që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për të. Për këtë i biri i tij thotë që është shumë lehtë të dihet fati i tij.

“Të gjithë e dijnë se Ukshin Hotin e kanë nxjerrë nga burgu dy guardianë. Krejt çka duhet me ba është me i marr ata guardianë edhe me i pyet se ku e kanë lanë. Ka pas fjalë që ka pas të shtëna ose jo, që ka qenë i vdekur. Mirëpo asnjë nga këto nuk qëndron, nuk kemi mundur t’i vërtetojmë.”

Andin Hoti ka kujtuar edhe takimin e fundit me babain e tij. Ai thotë se nuk ka folur fare me të.

“Herën e fundit e mbaj mend kur ka qenë në burg në Mitrovicën e Sremit. Nuk na kanë lanë me fol shqip ka qenë takimi i fundit me të edhe për këtë ai ka refuzu me folë. Krejt çka mbaj mend është se përmes grilave kemi pa njëri tjetrin.”Edhe pse kanë kaluar 20 vitë që kur për të fundit herë ka marr lajme për të atin, Andin Hoti thotë që e mendon se një ditë do t’a takojë prapë.

“E para, unë si Andin por edhe familja ime sa herë mendojmë për babin.. ende mendojmë që është gjallë. Unë e mbaj një shpresë që është gjallë dikund. Mendoj që është i burgosur dikund dhe pres me u zgjidh kjo çështje.”

Ndër të tjera, Hoti ka thënë që Serbia nuk do t’i pranojë asnjëherë krimet që ka kryer në Kosovë. Prandaj është më se i nevojshëm presioni ndërkombëtar.