.
×

Analizë në Washington Post: A mund t’i ricaktojnë kufijtë Kosova dhe Serbia, pa luftë mes vete?



 

Muajin që shkoi, Këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “nuk do të pengonin” një marrëveshjeje shkëmbimi territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. Raportimet e fundit sugjerojnë se të dy shtetet janë pranë një marrëveshjeje që do të zgjidhte një nga bllokadat më sfiduese politike të Evropës që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Profesori i shkencave politike në Universitetin Kombëtar të Kërkimeve – HSE në Moskë, Carter Johnson, i cili është pranë përfundimit të librit “Kur ndarja funksionon: Ndarja e tokat dhe njerëzve në ndjekje të paqes”, ka publikuar një analizë rreth rastit të Kosovës dhe Serbisë në Washnigton Post.

Më poshtë gjeni analizën e plotë të tij: Kosova dhe Serbia mund ta ricaktojnë kufirin e tyre. A mund ta bëjnë këtë pa shkaktuar luftë mes vete?

Muajin që shkoi, Këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “nuk do të pengonin” një marrëveshjeje shkëmbimi territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. Raportimet e fundit sugjerojnë se të dy shtetet janë pranë një marrëveshjeje që do të zgjidhte një nga bllokadat më sfiduese politike të Evropës që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Sipas këtij plani, do të ricaktohej ndarja Kosova-Serbi për të mundësuar që një territor serbfolës në pjesën veriore të Kosovës të bashkohet me Serbisë, ndërsa një rajon shqipfolës në jug të Serbisë të bashkohet me Kosovën. Interesat janë të mëdha: Zgjidhja e kësaj bllokade mbase do t’i hapte shteg Kosovës për marrjen e ulëses në Kombet e Bashkuara. Dhe kjo do të rriste gjasat që Kosova dhe Serbia të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe, potencialisht, NATO-s.

Pohimet e Boltonit janë në kundërshtim me liderë të shumtë evropianë, të cilët druajnë se një ujdi e tillë do të ishte destabilizuese. Por, a mund të ndodhë që një rindarje e tillë të sjellë paqe? Ja çfarë ju duhet të dini.

Disa lloje të ndarjes funksionojnë më mirë se të tjerat

Hulumtimi im i mëhershëm mbi ndarjen si një zgjidhje për luftën civile etnike sugjeron që ndarja e territoreve dhe grupeve etnike në mënyrë të konsiderueshmë rrit mundësinë për paqe – krahasuar me ndarjet që përqendrohen vetëm në territoret. Duke përdorur një strukturë të të dhënave të Bankës Botërore, i shikova 17 ndarjet që koinciduan me përfundimin e luftërave civile etnike midis viteve 1945 dhe 2004.

Kam krijuar një indeks për të gjurmuar se në ç’shkallë ndarjet kanë ndarë edhe grupet etnike të përfshira në konflikt. Kjo ndodhi vetëm në tetë nga 17 ndarjet. Nga këto tetë, asnjëra nuk përjetoi dhunë të konsiderueshme të përsëritur gjatë pesë viteve të para – ky është një numër i konsiderueshëm, sepse në shumicën e përfundimeve të luftës vjen deri te përsëritja e konfliktit dhe rreziku është më i lartë në vitet e para pas ndarjes.

Grupet etnike pas ndarjes së Kosovës

Si funksionoi ndarja e Kosovës? Ndarja e Kosovës e vitit 1999 nga Serbia (Jugosllavia e atëhershme) mori një rezultat mesatar të indeksit – pakica të konsiderueshme mbetën në të dy anët e kufirit. Siç do të parashikonte hulumtimi, dhuna e armatosur vdekjeprurëse ndodhi sërish dhe pikërisht në ato rajone ku ishin të vendosura pakicat etnike, më së shumti në vitet 2000-2001 në Luginën e Preshevës dhe më 2004 në Mitrovicë, Kosovë. Shpërthimi i fundit u përhap shpejt në të gjithë vendin në zona të vogla me serbë dhe grupe të tjera pakicë.

Këto përplasje çuan në dhjetëra të vrarë dhe dhjetëra mijëra të zhvendosur, me fushata të reja të spastrimit etnik. Hulumtimi im sugjeron se nëse ndarja e Serbisë dhe Kosovës e vitit 1999 do të ishte realizuar ashtu që të pasqyronte më saktë demografinë në vend, në vend që të ndiqte verbërisht kufijtë e vendosur më 1947, do të mund të kishte pasur dukshëm më pak dhunë të pasluftës.

A duhet Kosova të ndahet edhe më tej sot?

Jo domosdoshmërisht. Një hulumtim i një rasti studimi që e kam kryer përkitazi me mikro-mekanizmat e dhunës pas ndarjes në Gjeorgji dhe Moldavi sugjeron që shkaqet më pak kanë qenë të nxitura nga urrejtja etnike dhe më shumë nga kapaciteti i dobët i shtetit, i cili është i përhapur në shkallë të lartë në vendet ku ka pasur luftëra civile. Kur shtetet arrijnë ose të ruajnë infrastrukturën e tyre shtetërore ose t’i rindërtojnë kapacitetet pas konflikteve, dhuna përsëritet më rrallë – edhe kur pakicat e zhvendosura kthehen në shtëpitë e tyre të paraluftës.

Kjo sugjeron që pjesëtarët e grupeve etnike që luftuan njëri-tjetrin gjatë një lufte civile mund të jetojnë së bashku paqësisht për sa kohë që shteti është mjaft i fortë (se a e ka shteti vullnetin politik për të lejuar kthimin e pakicave është një çështje kritike, por edhe e ndryshme). Urrejtja etnike mund të jetë e pranishme, por dhuna mund të reduktohet në minimum – një rezultat inkurajues për ndërtimin e paqes shumetnike të pasluftës.

Si mund Serbia dhe Kosova të kërkojnë paqen?

Ndonëse shumica e popullsisë së Luginës së Preshevës është shqipfolëse, Serbia e ka kontrolluar këtë territor vendosmërisht që nga Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001, dhe banorët e luginës nuk pritet që të rebelohen në të ardhmen pa ndonjë mbështetje të konsiderueshme nga Kosova, një skenar që vështirë se ka të ngjarë të realizohet marrë parasysh qëllimet e politikës së jashtme të Kosovës për integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ndërsa, pakica shqiptare mund të parapëlqejë të jetojë nën qeverisjen kosovare, shumica ka gjasa të vazhdojnë të punojnë paqësisht me Serbinë përderisa institucionet shtetërore të Serbisë mbeten të forta.

Kjo sugjeron se është logjika është që Lugina e Preshevës të mbetet brenda Serbisë. Dorëzimi i kontrollit të këtij rajoni paqësor mbi Kosovën tani mund të çojë në dhunë destabilizuese, tani që forcat serbe të sigurisë u tërhoqën dhe grupet minoritare të Preshevës – duke përfshirë më shumë se 15,000 serbë, mbase janë larguar.

Pjesa e Mitrovicës në veri, nga lumi Ibër deri në kufirin me Serbinë, është një rrëfim i ndryshëm.

Ky territor është pothuajse ekskluzivisht serb dhe ka qenë në mënyrë efektive i pavarur nga Kosova që nga viti 1999 – një ndarje de facto. Megjithëse Marrëveshja e Brukselit për vitin 2013 ka ndërmarrë hapa për integrimin e rajonit në Kosovë, duke përfshirë vendosjen e forcave veriore të sigurisë në mënyrë formale brenda një force të vetme policore të Kosovës, rajoni është i ndarë etnikisht dhe funksionon në mënyrë autonome. Serbët etnikë ende e kontrollojnë sigurinë e këtij rajoni.

Ri-integrimi i asaj zone në Kosovë sot mund të bëhet vetëm me forcë, dhe kjo mbase do të çonte në dhunë masive nëse Qeveria e Kosovës do të përpiqej t’i kontrollonte apo dëbonte forcat e sigurisë serbe kuazi-shtetërore. Serbia pothuajse me siguri do ta mbështeste enklavën në një konflikt të tillë, qoftë haptazi apo joformalisht – një skenar ndoshta i ngjashëm me mbështetjen që Rusia ia jep Ukrainës lindore sot.

Prandaj, një mënyrë për të ruajtur paqen do të ishte që Kosova t’ia dorëzonte Serbisë kontrollin formal të atij rajoni, duke pranuar ndarjen që tashmë ka ndodhur në të gjitha kuptimet, veç emrit. Nëse kjo mund të jetësohej në këmbim të njohjes së Kosovës nga Beogradi, mundësia e paqes afatgjatë do të ishte edhe më e lartë.

Kritikët e ndryshimeve të kufirit pohojnë se ndryshimet rrezikojnë “hapjen e kutisë së Pandorës me sfida të reja në mbarë rajonin”. Por, ky qëndrim dështon të vlerësojë aftësinë e bashkësisë ndërkombëtare për të pranuar qëndrime jobindëse pa shkaktuar jostabilitet. Rreziqet e njëjta, për shembull, janë vërejtur kur dhjetëra shtete u rreshtuan për të njohur pavarësinë e Kosovës më 2008, duke ia mohuar të njëjtën të drejtë Republikës Serbe, një rajon me ambicie separatiste brenda Bosnje dhe Hercegovinës. Megjithatë, nuk pati jostabilitet.

Ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi mund të shkaktojë debate të shumta, por nuk duhet t’u hapë dyer ndryshimeve të mëtejshme në shtete të tjera. /BP/

Linku:

https://www.washingtonpost.com/news/monkey-cage/wp/2018/09/10/kosovo-and-serbia-might-redraw-their-border-could-this-keep-them-from-going-to-war/?noredirect=on&utm_term=.d9ba6dac7e7d