.
×

Ana Tolaj: Atdhedashuria është në gjak e me gjak – portret i Halim Tolajn!



Babi im Halim Tolaj është i biri i një atdhetari. Derë e pamposhtur e Tolajve ndër breza. Babë e gjysh i kishte luftetar të mëdhenjë e njërin lrej tyre edhe të vrarë nga armiqtë e vendit. Për ta shkruhet nëpër shumë libra historike, ashtu siç shkruhet edhe për babin tim që ishte i pamposhtur në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër barbarisë serbe. Babi gjithmonë ishte në shërbim të atdheut, duke e dashur pamatshëm popullin e vetë, duke punuar e luftuar për të drejtat e tij, për dinjitetin e tij, për lirinë dhe pavarësinë e kombit. Kjo u dëshmua edhe në luftë, ku bashkë me shokët e tij të fëmijërisë u bënë bashkë dhe e nisen luftën kundër pushtuesit, duke ua prerë rrugën kryesore armiqve në magjistralen Deçan Gjakovë. Skuadra e Halim Tolajt numëronte 7-8 ushtarë, të cilët luftuan e rezistuan kundër takeve serbe me ditë të tëra, derisa popullata po siguroheshin prej tyre, që mos të hynin serbet brenda fshatrave, ku portë hyrëse e kishin Prilepin e që po mbrohej nga babi dhe shokët e tij të fëmijërisë. Trimat e Gjakovës kishin dëgjuar për qëndresën e Halimit dhe erdhën e u mobilizuan nën komandën e babit në Prilep, që ta forconin edhe më shumë atë front edhe me djem tjerë të fshatrave përreth. Në asnjë mënyrë nuk lejuan që armiku ta pushtonte Kodrën e Lajthisë, pikën strategjike mbi Prilep. Në beteja të njëpasnjëshme, ballë për ballë me serbët u vranë disa ushtarë e ushtarakë të lartë serbë, për të cilët më vonë u fol edhe në Tribunalin e Hagës. Prilepi njihet si: toka e shqiponjave, ku rritën djemtë të gjatë si plepa e vajzat me aromë blini. Ku ishte Halim Tolaj me ushtarët e vetë, armiku duhet të kthehej mbrapsht. Armatimin e siguronin nga Shqipëria me shumë mund e sakrifica. Pas çlirimit të Kosovës babi vazhdoi edhe në UÇPMB dhe UÇK në Maqedoni, sepse e donte kombin e bashkuar në një shtet. Luftërat përfunduan dhe atij i mbeti pengë mosrealizimi i betimit të ushtarit të UÇK-së. Në paqe refuzoi të rrinte me ata qe thirreshin në emër të luftës, për tu shpaguar, sepse shpagimi i kontributit të babit për luftën që bëri ishte vet liria e Kosovës. Dashuronte bjeshkët, lartësitë e Kosovës dhe thoshte se: Rrafshi i Dukagjinit duket shumë më i bukur nga malet përreth. – E kemi çliruar rrafshin e tash duhet t’i mbrojmë bjeshkët, thoshte me buzëqeshje. Si burrë fisnik, bujar e trim, i pa fjalë e shumë human, vazhdoi për vite me radhë të jetonte më shume si burrë i bjeshkëve të Nemuna sesa qe rrinte me ne, derisa një ditë u diagnozifiku me kancer dhe për 2 vite qëndroi po aq i fortë, i qetë e fisnik, derisa kreu misionin e tij të kësaj bote, duke na bërë krenar me veprat e tij! Teksa, ne fëmijët e tij ishim mbledhur rreth shtratit të tij, ku do jepte frymën e fundit, buzëqeshja nuk ikte nga buzët. – Buzëqeshni jetës, buzëqeshni atdheut dhe luftoni e vdisni për të, kurdo që thërret nevoja, na tha! Babi iku andej në botën e pasosur, ndërsa neve këndej na e la buzëqeshjen e tij hyjnore! Sa herë shoh Kodrën e Lajthisë, shoh babin tim aty, duke i buzëqeshur lirisë! Ana TOLAJ