.
×

Ambasadori i Shqipërisë shuan shpresat:S’ka pasaporta shqiptare për kosovarët, duhet tjetër zgjidhje



 

 

Kosovarët do të vazhdojnë të mbesin edhe gjatë pa viza. As kërkesa e presidentit Thaçi që si alternativë për t’i dhënë fund izolimit dhe kosovarëve t’u jepet pasaporta shqiptare, është një veprim jo i realizueshëm. Zgjidhja nuk është kjo, thotë në një intervistë dhënë Gazetës Express, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Sipas Ambasadorit, Kosova nuk ka arsye të penalizohet. Ambasadori tregon edhe për bashkëpunimin më mes të dy shteteve dhe se a është bërë mjaftueshëm në të arriturat mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Z. Ambasador: A ju habiti kërkesa e Presidentit Thaçi që kosovarët të pajisen me pasaporta shqiptare, si një alternativë e mundshme pasi BE ende nuk ka liberalizuar vizat për kosovarët?

 

Minxhozi: Ishte një dëshirë, një kërkesë e Presidentit Thaçi, që ka nevojë për t’u parë me kujdes, sepse kemi të bëjmë me një lëvizje që  kondicionohet edhe nga disa faktorë të tjerë ndërkombëtarë. Është një çështje që Shqipëria nuk mund t’u japë pasaporta të gjithë qytetarëve të Kosovës, nuk mund të marrim një veprim të tillë sepse ashtu siç tha edhe presidenti Meta, çështja duhet të zgjidhet ndryshe, që kosovarët vetë të kërkojnë liberalizimin e vizave. Sado që një vend të ndihmojë, është e pamundur që ta zgjidhë problematikën që e ka Kosova, prandaj kjo është një alternativë që ka shumë probleme për t’u zgjidhur.

 

Kjo më shumë do të mund të pritej nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila dihet që angazhohet haptazi për bashkim kombëtar, kjo kërkesë më shumë do të mund t’i shkonte atyre. Pajtoheni?

 

Minxhozi: Ne kërkojmë me çdo kusht që Kosova të jetë pjesë e familjes së madhe evropiane, që Kosova të ketë të drejtën, që qytetarët e Kosovës të kenë të drejtën të lëvizin lirshëm, sepse nuk kanë se përse të penalizohen, sepse janë popull që i kanë dhënë provat që janë popull për të ecur drejt rrugës së integrimeve evropiane. Kosova ka përmbushur tashmë një numër shumë të madh obligimesh ndërkombëtare, prandaj në këtë kontekst, Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave. Është një presion që e bën Qeveria e Kosovës, është një presion që e bën edhe Shqipëria. Në këtë mënyrë mund të ndihmohet më së miri Kosova, se sa duke dhënë viza nga Shqipëria. Është diçka që Kosova duhet ta marrë direkt nga faktori ndërkombëtar, nga Bashkimi Evropian.

 

Në anën tjetër, Presidenti Meta e hodhi poshtë këtë mundësi. A është kjo përgjigja përfundimtare e shtetit shqiptar rreth kësaj çështjeje?

 

Minxhozi: Patjetër që është.

 

Vizita e Presidentit Meta ishte befasuese dhe e pa paralajmëruar më parë, madje u prodhua edhe një dokument i përbashkët. A interferuan Presidentët në punën e Qeverive?

 

Minxhozi: Çështja është ashtu që dokumenti i përbashkët përthakon shumë mirë hapësirat  e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës. Është tepër e rëndësishme që ka një koordinim ndërshtetëror, ndërpresidencial, me targete të përbashkëta, dhe se ku duhet të shkojë për tu afruar më tepër strukturat e BE-së por edhe në të ardhme evropiane të përbashkët. Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë së bashku për të qenë partner të Bashkimit Evropian dhe për të qenë të përkushtuar ndaj kësaj çështje. Dokumenti besoj që i plotëson të gjitha ato pritshmëritë që gjithë njerëzit i kërkojnë sot.

 

Si i vlerësoni marrëdhëniet në mes të Shqipërisë dhe Kosovës dhe a besoni që është bërë mjaftueshëm në këtë aspekt?

 

Minxhozi: Mjaftueshëm asnjëherë nuk mund të themi, është bërë mjaftueshëm, por mendohet se mund të kemi mundësi shumë më tepër, ka hapësirë edhe për një bashkëpunim më të mirë. Nga viti në vit ka arritje, por prapë në nuk jemi të kënaqur, sepse mundësitë janë më të mëdha. Përveç vullnetit kombëtar, përveç vullnetit politik duhet të ndërmerren disa iniciativa dhe disa veprime për të shmangur në maksimum ato pengesat që hasen në marrëdhënie të përbashkët. Me kënaqësi mund të them se marrëdhëniet ekonomike në mes të Shqipërisë dhe Kosovës janë inkurajuese, janë më të mira se viti i kaluar, por prapë ka hapësira që ne mund të bëjmë më tepër.

 

Kosova dhe Shqipëria kanë mbajtur disa mbledhje të përbashkëta ku edhe kanë arritur disa marrëveshje. Megjithatë, zbatimi i tyre nuk është se po ecën siç duhet. Pse po ndodh kjo?

 

Minxhozi: Nuk ka ecur siç duhet, por gjithsesi është shumë pozitive që ekziston ai shqetësimi, kujdesi dhe përkushtimi që këto mbledhjet të jenë pozitive, që të mblidhen takohen dhe të diskutojnë qeveritë.

 

Çdo mbledhje në fundvit është llogaridhënie, pse nuk është bërë mirë, çfarë nuk është bërë mirë. Mbledhja e 27 nëntorit që do të jetë në radhë të parë ka të bëjë në aspektin ekonomik ku do të ketë një përqendrim shumë të madhe prej të gjitha qeverive, doganave, tatimeve, burokracive e më radhë.