.
×

Albin Kurti dhe Isa Mustafa: Kosova ka nevojë për qeveri të re



Albin Kurti ka takuar sot kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën në shtëpinë e tij, shkruan Periskopi. Kryetarët e të dyja partive opozitare sapo kanë bërë postimet e tyre në Facebook në lidhje me takimin e tyre.

Të dy kanë shprehur dëshirën për ndryshime, derisa Kurti ka qenë edhe më specifik duke thënë që Kosova ka nevojë për qeveri të re e cilësore.

Nuk dihet nëse LDK-ja do t’i bashkohet protestës së 29 shtatorit të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje me parullën “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”. Por, me takimet e shpeshta të dy liderëve opozitarë, mund të jetë i pritshëm një koalicion parazgjedhor mes partive, që do ta linte PDK-në në opozitë.

Këto janë postime e z. Kurti dhe z.Mustafa:

“Të gatshëm të koordinojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalen sa më shpejtë. Kosova si kurrë më parë ka nevojë urgjente për qeverisje të re dhe cilësore.” – Albin Kurti

“Sot u takuam me z. Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe biseduam për shumë tema që e rëndojnë aktualitetin në Kosovë. Shprehëm gatishmërinë të intensifikojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi I territorit të ndalet sa më shpejtë. Vlerësuam bashkërisht se Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë, për ndryshime.” – Isa Mustafa