.
×

  Al Busaidi: Falminderit Kosovë për mikpritjen  e ngrohtë  



Kryetari i Federatës së futbollit të Kosovë (FFK), Fadil Vokrri me bashkëpunëtor një ditë para miqësores shtroi darkë për nder të kryetarit të Federatës së Futbollit të Omani, Al Busaidi Sayyid Khalid Bin Hamed me bashkëpunëtorë.

Në këtë darkë të pranishëm ishin edhe kandidati i vetëm deri me tash për kryetar të FIFA-s dhe miku i FFK-së z. Jerome Champagne si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Memli Krasniqi.

Gjatë kësaj kohe janë shkëmbyer dhurata ndërmjet dy Federatave, ndërsa Vokrri veç paketave të falënderimit, presidentit të FF të Omanit ia dha edhe një çifteli me mbishkrimin Kosova.

“Gjatë darkës u bisedua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy federatave. Kryetari Vokrri duke i përshëndetur mysafirët nga Omani ka falënderuar shtetin e Omanit dhe kryetarin e FF të Omanit për këtë ndeshje me shpresën se të dyja federatat do të vazhdojnë bashkëpunimin në fushat me interes e sidomos në përkrahjen që FFK-ja të arrijë synimet e saj në rrafshin ndërkombëtar për tu bërë pjesë e institucioneve ndërkombëtare sa më parë që është e mundur”, thuhet në njoftimin e dhënë për media nga FFK-ja.

Kryetari i FF të Omanit z. Al Busaidi ka falënderuar kryetarin Vokrri, FFK-në, ministrin Krasniqi dhe popullin e Kosovës për një mikpritje të ngrohtë. “Jam shumë i lumtur dhe i befasuar nga një mikpritje kaq të ngrohtë nga të gjithë ju dhe ne besojmë se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen me shpresën që edhe ju një ditë të jeni mysafirë në Oman. Ne si Federatë do të mbështesim FFK- në realizimin e synimeve të saj”, tha Al Busaidi.

pohtee