[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)



Pretendimet e Prokurorisë Speciale se imami Shefqet Krasniqi gjatë ligjërimeve të tij nxiti urrejtje dhe terrorizëm, i kanë mbështetur edhe drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët edhe i konsideruan në kundërshtim me vetë parimet e fesë islame.

Gazeta Express, më 27 dhjetor 2016, kishte publikuar letrën të cilën kryesia e BIK-ut, i kishte drejtuar prokurorit Elez Blakaj, pas kërkesës së këtij të fundit për ndihmë të nevojshme në lidhje me hetimet nga ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Prokuroria Speciale e Kosovës, të hënën, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Shefqet Krasniqit për tri vepra penale: “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, sipas nenit 141 tё KPK-së, “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, sipas nenit 147, paragrafi 2 i KPK-së dhe “Shmangia nga Tatimi” sipas nenit 313, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 tё Kodit Penal tё Republikës së Kosovës.

Artikullin e plotë të botuar në Express, dy muaj më parë, me titull “Tërnava-Prokurorisë: Predikimet e Shefqet Krasniqit nuk janë as etike as në përputhje me Islamin (Dokument)”, mund ta lexoni më poshtë: 

Tërnava-Prokurorisë: Predikimet e Shefqet Krasniqit nuk janë as etike as në përputhje me Islamin (Dokument)

Në përballje me Prokurorinë Speciale, nën dyshimin se ka ligjëruar gjuhë të urrejtjes si imam, Shefqet Krasniqi ka ngelur i vetëm. Kundër tij është vënë edhe kryesia e BIK-ut e udhëhequr nga myftiu Naim Tërnava, konstatojnë dokumentet që ka siguruar Gazeta Express.

Në procedurën penale kundër tij, imamin kontrovers të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) që është dhe njëri nga profesorët kryesorë të Fakultetit të Studimeve Islame të kësaj bashkësie, po e lënë vetëm edhe shefat e tij.

Kështu, Kryesia e BIK-ut që drejtohet nga myftiu Naim Tërnava, po bashkëpunon me prokurorin Special Elez Blakaj, kundër imamit Krasniqi.

Në komunikimet në mes të Prokurorit dhe Kryesisë së BIK-ut, që i posedon Gazeta Express, këta të fundit konstatojnë që ligjëratat e Shefqet Krasniqit, që deri në fillim të këtij viti e ka drejtuar xhaminë kryesore në vend, xhaminë “Sulltan Fatih”- e njohur si Xhamia e Madhe në Prishtinë, janë në kundërshtim edhe me vetë parimet e fesë islame.

Prokurori Blakaj e kishte kërkuar një interpretim nga BIK-u në lidhje me ligjëratat e imamit Krasniqi të publikuara në YouTube më herët, ligjëratat “Revolucioni Sirian” dhe “Ndihmojeni Sirinë”, por edhe për materiale të tjera që i dërgoi në BIK.

BIK-u në përgjigjen e tyre për Prokurorin Special thonë se dy ligjëratat në fjalë “nuk janë në frymën parimore islame” dhe se interpretimi i pjesëve të ndryshme të librit të shenjtë islam, Kur’anit, është bërë jashtë kontekstit kohor.

BIK tutje konstaton se gjuha e përdorur nga imami Krasniqi nuk është në frymën e predikimit tradicional në vend dhe nuk përkon as me etikën e komunikimit me masën.

“Gjuha e vrazhdë gjatë predikimeve fetare nuk përkon me frymën pozitive të Kushtetutës, rregulloreve dhe akteve tjera normative të Bashkësisë Islame të Kosovës”, konstaton BIK dhe shkon madje edhe më tutje duke i thënë Prokurorit se Këshilli lokal i BIK-ut në Prishtinë nën urdhrat e të cilit duhej të punonte imami, tashmë nën hetime, nuk ka dhënë leje që të publikohen këto ligjërata.

Këto ligjërata që i posedon Gazeta Express janë ndër ligjëratat e shumta ku Krasniqi përlotet, siç e kishte bërë ai zakon sa ishte imam në Xhaminë e Madhe duke qarë për çdo të premte. Por, ajo që i dallon këto ligjërata është edhe ilustrimi i tyre me krime të bëra nga regjimi i Presidentit sirian, Bashar Al-Asad ndaj popullatës civile atje, që janë konsideruar edhe si nxitje që të rinjtë që e panë këtë ligjëratë drejtpërsëdrejti në xhami ose ata mijëra të tjerë në YouTube, rrjete tjera sociale, t’i bashkoheshin rezistencës atje.

Express në gusht të këtij viti pati raportuar se një kërkesë për vazhdimin e hetimeve kundër imamit kontrovers Krasniqi ishte deponuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në kërkesën që e pati siguruar Express Prokuroria përmend edhe persona të tjerë që janë pjesë e hetimit kundër grupit ku imami Krasniqi përket, përfshirë edhe drejtues OJQ-ësh islamike të mbyllura për aktivitete antikushtetuese dhe persona, Prokuroria lypte afat shtesë, derisa afati fillestar i planifikuar për hetimin e një vepre penale është dy vite, por me një mundësi vazhdimi edhe për gjashtë muaj shtesë, sipas kodit të procedurës penale.

Në verën e vitit 2014 Prokuroria e Kosovës kishte ngritur një pistë të gjerë hetimesh kundër kosovarëve të përfshirë në konfliktet e armatosura jashtë vendit, kryesisht në lëvizjen xhihadiste në Siri e Irak, përkrah organizatave terroriste si Shteti Islamik (ISIS) e “Xhabhatu Al-Nusra”- dega e Al’Kaedas në Siri.

Menu Title