.
×

Akuza nga Beogradi: Mediet kroate shpresojnë për trazira në Serbi



Ministri i mbrojtjes i Serbisë Aleksandar Vulin ka thënë sot se në mediet kroate po bëhet fushatë kundër kryetarit të Serbisë Aleksandar Vucic dhe ka vlerësuar se këto medie po shpresojnë për konflikte e trazira në Beograd.

“Sulmet histerike të medieve kroate ndaj Aleksandar Vucicit nuk janë të shkaktuara me asgjë që Vucic ka thënë apo bërë, por nga zemërimi se Serbia të cilën ai e udhëheq ka suficit tregtar në marrdhëniet me Kroacinë, pse Ushtria e Serbisë po pajiset dhe se Serbia po zhvillohet e është më e fortë”. ka thënë Vulin në një deklaratë për shtyp dhënë Tanjug-ut.

Një vështrim në gazetat kroate ndërkaq mund të bindë për të kundërtën. Dje, e përjavshmja kroate “Globus”, në një analizë të gjerë për ngjarjet në Beograd, thotë se numri i protestueve ka rënë, në krahasim me 29 dhjetor 2018 16 janar 2019, kur sipas medies kroate kanë marrë pjesë mes 20 e 30 mijë protestues kundër pushtetit në Serbi.

Po ashtu, javorja kroate citon historianin serb Srdjan Milosevic, i cili thotë se për Vucicin mendon “tërë më të këqijat”, por se, për fat të keq, “ka edhe më të këqij se ai”.

“Nëse dikush do ta heqë nga pushteti, do të jenë këta rusët, prej tyre i kërcënohet rreziku më i madh”.

Ai thotë se në Serbi janë të gozhduar mes Lindjes e Perëndimit, në njëfarë gjoja “painkuadrimi”. “Si mund të jesh i painkuadruar në rrethimin e NATO-s? Kjo është e pamundur dhe e palogjikshme… Kjo nuk do të përfundojë mirë…”