[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

AKR e Nisma mund të ndihmojnë në zhbllokimin e situatës pas zgjedhore, thotë Matoshi



Kryetari i Kuvendit të Aleancës Kosova e Re, Fatmir Matoshi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës vështirë se do të qeverisin gjatë së bashku.

Matoshi ka thënë se AKR’ja me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt do të jenë në një grup parlamentar.

Ai ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë iniciativë konkrete për t’u përfshirë në qeverinë e ardhshme.

“Mendojmë se AKR dhe NISMA duhet të jenë në opozitë për të reflektuar për gabimet e mundshme që janë bërë në qeverisje”, ka thënë ai në Rtv Dukagjini.

Matoshi duke komentuar situatën aktuale mes Vetëvendosjes dhe LDK-së ka thënë se AKR në vitin 2017 ka pasur përpjekje të mëdha për bashkimin e tyre por thotë se “kanë hasur rezistencë të madhe në këtë drejtim”.

Ai ka shtuar se VV dhe LDK janë dy partitë që kanë më së shumti dallime me njëra-tjetrën por sipas tij qëndrimi i përbashkët në opozitë i ka përafruar pozicionet e tyre.

Anëtari i Kryesisë së AKR-së, ka thënë se LDK dhe Vetëvendosje fatkeqësisht nuk kanë vullnet për të arritur një koalicion qeverisës dhe sipas tij ato po kërkojnë ndonjë arsye për t’u ndarë, përcjell Telegrafi.

Matoshi ka thënë se nëse arrihet marrëveshja e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së qeverisja e tyre do të jetë shumë afatshkurtër por sipas tij edhe nëse nuk arrihet ndonjëra nga këto parti do të gjej alternativa tjera për të formuar qeverinë por në zgjedhje nuk do të shkohet.

“AKR-së i konvenon shkuarja në zgjedhje të parakohshme por Kosovës nuk i konvenon një gjë të tillë”.

Ministri në detyrë i Mjedisit thotë se është e vështirë të imagjinohet një situatë si në zgjedhjet e kaluara parlamentare, por sipas tij nëse është e nevojshme AKR/NISMA mund të japin kontribut në zgjidhjen e ngërçit.

“Ne jemi të vetëdijshëm për fuqinë tonë politike. E dimë se dy parti kanë nga 26 dhe 25 për qind të votave, por as AKR dhe as NISMA nuk do të jenë bllokuese për t’i dhënë vendit institucione të reja”.

Matoshi ka thënë se është fundi i vitit dhe sipas tij ka një nevojë të madhe për formimin e institucioneve në mënyrë që të miratohet edhe buxheti për vitin e ardhshëm kalendarik.

Menu Title