.
×

Ahmetin e Bashën i bashkon ‘urrejtja’ ndaj Qeverive



Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryetari i Tiranës, Lulzim Basha, të shtunën duket se qëlluan në humor të mirë. Meqë të dy janë nga opozita e shteteve përkatëse, bënë shaka në llogari të Qeverive.

Derisa Ahmeti tha se më mirë po i duket pa Qeveri, Basha u pajtua me të por tha se më e keqja është kur Qeveria e pengon Komunën në punët e saj.

Këto batuta, të parët e kryeqyteteve shqiptare i bënë derisa u takuan dhe diskutuan për thellimin e bashkëpunimit mes Tiranës e Prishtinës.

Të dy theksuan domosdoshmërinë e hartimit të një platforme e cila të ketë në fokus lehtësimin e procedurave dhe nxitjen e bashkëpunimit mes biznesit të vogël dhe të mesëm në Tiranë e Prishtinë.

Ja si folën ata për qeveritë qendrore:

Basha: Po të funksionojë komuna ndihet më pak mungesa…( e Qeverisë),

Ahmeti: Ma mirë pa Qeveri (qesh)

Basha: Absolutisht, absolutisht (qesh)

Basha: …kur punon komuna dhe e mbështet Qeveria, kur punon komuna dhe s’ka qeveri, dhe më e keqja është kur punon komuna dhe e pengon qeveria, kështu që e keqja s’ka fund.

Të dy folën për situatën politike në vendet përkatëse dhe thanë se ka ndikuar negativisht në cilësinë e jetës së banorëve dhe ofrimin e shërbimeve ndaj tyre.

Ata ranë dakord të ngrenë një grup të përbashkët pune, për të nxitur bashkëpunimin e biznesit mes dy kryeqyteteve. /Telegrafi/