.
×

Ahmeti: Platforma për dialogun dorëzohet në Kuvend para 30 janarit



Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se platforma për dialogun do të jetë e gatshme para 30 janarit, kur edhe pritet të fillojë sesioni i ri i Kuvendit.

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka folur për materialin që ka marrë delegacioni nga Presidenti Hashim Thaçi, rreth asaj se çka ka folur ai deri tash me Aleksandër Vuciqin.

Po ashtu, Ahmeti ka treguar se delegacioni, i cili kryesohet nga ai dhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj, do të dërgojë platformën për dialog jo më larg se 30 janari.

“Besoj që para 30 janarit do të jemi në gjendje ta dorëzojmë platformën e dialogut. Ajo platformë është e bazuar në Kushtetutën e Kosovës. Ky dialog e ka një qëllim, që ta përmbyllë procesin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Ahmeti.

Kryetari i PSD-së, po ashtu ka thënë se nëse nuk ka njohje nga Serbia, dialogu nuk ka kuptim për Kosovën, duke cilësuar se nuk është e nevojshme që as të humbet kohë.

Ahmeti gjithashtu ka treguar se ekipi i dialogut ka krijuar gjashtë komisione në kuadër të mandatit të tij, që e ka marrë nga Kuvendi.

Ndërsa, bashkëkryesuesi i ekipit negociator ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë dokument të shkruar që paraqet draftin fillestar të marrëveshjes, ndonëse opozita këmbëngul se ka një draft të tillë, të hartuar nga Thaçi e Vuciq.