.
×

Ahmet Isufi i AAK-së kundër deputetëve të PDK-së për taksën!



Botapress, 22 Shkurt – Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, e ka quajtur të pakuptueshme tërheqjen e PDK-së për të mbajtur taksën 100 për qind ndaj Serbisë. Duke përmendur se vendimi për taksën është marrë bashkërisht nga partnerët e koalicionit, Isufi ka thënë se Kosova përfiton nga taksa, e cila, sipas tij, është bërë për t’u mbrojtur nga Serbia me politikat e saj kundër Kosovës. “Është e pakuptueshme [thirrja e PDK-së për suspendim të taksës] sepse vendimi është marrë bashkërisht, por nëse kanë arsye të tërheqjes, ato arsye duhet të jenë të fuqishme. Kosova po përfiton çdo ditë me taksën dhe Serbia po ankohet. Prodhuesit vendorë i kem në krah dhe të gjithë janë të entuziazmuar që Kosova po vepron si shtet”, ka thënë Isufi. Isufi ka thënë se thirrjet e SHBA-së dhe BE-së për suspendim të taksës janë vetëm për balans mes Kosovës dhe Serbisë derisa ka shtuar se Kosova duhet të tentojë t’i bindë ndërkombëtarët se taksa është e drejt ndaj politikës së Serbisë. “Kërkesa është bërë sepse duan të ketë balans mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë mënyrë po i bëhet lëshim Serbisë duke dëmtuar interesin tonë. Kosova po mbron interesin e vet dhe konsiderojmë se duhet t’i bindim që kemi të drejtë sepse Serbia ka bërë veprime anti-Kosovë. Kanë bërë kërkesë për tërheqje të njohjeve, përse Amerika dhe BE-ja nuk po reagojnë ndaj këtyre veprimeve”, ka thënë Isufi që ka insistuar se qeveria e shefit të tij Ramush Haradinaj nuk do të bie për shkak të taksës. “Një nga temat e diskutueshme në koalicion është PDK-ja, por vendimi është marrë bashkë. Për këtë arsye edhe konsultimet duhet të bëhen bashkë. Kjo taksë iu ka vu Serbisë dhe askujt tjetër. Nuk duhet të shqetësohet as faktori i brendshëm e as ai i jashtëm. Ka shumë shtete që kanë përdorur sanksione që kanë dashur t’u kundërvihen veprimeve të atij shteti”, ka thënë veç të tjerash Isufi.