.
×

Agjenti i Suarezit flet për ofertën e Hajvalisë



Më 30 qershor 2014, në adresë të klubit të Liverpoolit kishte arritur një ofertë për sulmuesin, Luis Suarez. Ishte Hajvalia që e dëshironte futbollistin uruguaian për katër muaj, duke i ofruar 30 mijë euro dhe pagë mujore prej 1500 eurosh. Në lidhje me ofertën ka folur menaxheri i lojtarit, Pere Guardiola. Ai falënderon Hajvalinë, për siç thotë, ofertën qesharake, derisa ka shprehur gatishmëri që ta vizitojë këtë klub, pse jo edhe ta ndihmojë.
Në lidhje me ofertën, gazeta SportPlus ka kontaktuar menaxherin e lojtarit, spanjollin Pere Guardiola, i cili ndonëse nuk ka pranuar asgjë të shkruar nga Liverpooli, thotë të jetë njoftuar për ofertën e Hajvalisë.
“Nuk kam pranuar asgjë nga Liverpooli e as nuk më kanë treguar. Por, kam lexuar nëpër media se një klub nga Kosova ka bërë ofertë për Luisin. Në atë kohë kishim probleme për shkak të dënimit dhe oferta për të (Suarezin) nga Hajvalia ishte krejtësisht qesharake dhe e pakuptimtë. Megjithatë, unë falënderoj Hajvalinë për interesimin”, thotë Guardiola për ‘Sport Plus’.
Vizita në Kosovë
Pere Guardiola, një nga tre menaxherët më me ndikim në Evropë, duke mos pasur njohuri të mëdha për futbollin kosovar, është interesuar të dijë nëse kushtet janë të tilla në vend apo oferta e Hajvalisë ka qenë përnjëmend vetëm sa për reklamë apo edhe për ta injoruar futbollistin që nuk kishte bërë gjest të mirë. Në këtë drejtim, Guardiola ka shprehur vullnet që kurdoherë ta vizitojë Kosovën.
“Dua të mësoj për kushtet e juaja. Kurdoherë që do të kem mundësi do ta vizitoj Kosovën dhe klubin e Hajvalisë. Nëse vërtetë oferta e tyre ka qenë maksimumi, atëherë nuk do të ishte përjashtuar mundësia edhe e ndonjë ndihme”, ka shtuar Pere, vëllai i trajnerit të Bayern Munichut, Pep Guardiola.
I pyetur nëse ka dëgjuar për pronarin e Hajvalisë, Mehedin Përgjegjaj se është këngëtar i njohur, menaxheri i Luis Suarezit ka thënë se ka lexuar artikullin për ofertën e këtij klubi në të cilin përmendet edhe ky emër, por pa njohuri tjera. Veç Suarezit dhe vëllait të tij, Pep Guardiola, Pere menaxhon edhe futbollistët si Jon Toral, Hector Bellerin, Isaac Cuenca e të tjerë.