.
×

Agani ankohet për keqpërdorim të votave, thotë se NISMA-AKR-PD kanë kaluar pragun



Kryetari i Partisë së Drejtësisë (PD), Ferid Agani që është pjesë e koalicionit Nisma-AKR, po shprehet i bindur se ky koalicion ka kaluar pragun zgjedhor dhe se do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Agani thotë se megjithatë nuk janë të kënaqur me rezultatin përfundimtar, pasi që pritjet kanë qenë shumë më të mëdha.

“Natyrisht i kemi informatat të cilat vinë brenda koalicionit nga komisionerët, në këtë rast më tepër të Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re, meqenëse partia e drejtësisë ka pasur shumë numër të vogël të komisionerëve të cilët kanë marrë pjesë drejtpërsëdrejti në proces zgjedhor. Por nga informatat që i kemi nuk diskutohet pjesëmarrja e koalicionit tonë në Kuvendin e Kosovës. Pra, normalisht ne e kemi kaluar pragun dhe kjo do të jetë edhe më e qartë pas numërimit të votave me kusht dhe votave nga mërgata dhe në këtë aspekt është vetëm çështje kohe se kur kjo do të verifikohet. Ndonëse është shumë e qartë se rezultati përfundimtar i cili është në dukje është larg prej asaj të cilin e kemi pritur”, thotë ai.

Kreu i PD-së, procesin e numërimit po e vlerëson të parregullt, pasi që konsideron se komisionerët kanë keqpërdorur votën qytetare.

Ndërsa thotë se nuk kanë ende informata nëse ndonjëri nga kandidatët e kësaj partie ka kaluar pragun për të qenë pjesë e Kuvendit.

“Nuk kemi informata të sakta në këtë aspekt, meqenëse po e shihni edhe vet procesi i rinumërimit është  në vijim e sipër mbi 300 vendvotime, është shumë e mundshme që ky proces të zgjerohet dhe në vendvotime të tjera sepse ka elemente, argumente të cilat dëshmojnë qartë se ka ndodhë keqpërdorimi i votës së qytetarëve nga ana e komisionerëve në shumë vendvotime. Por nuk kemi informata saktë se a e kanë kaluar pragun për të qenë deputetë në Kuvendin e Kosovës ndonjëri prej kandidatëve të Partisë së Drejtësisë”, thotë ai.

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mjedisit, po akuzon sistemin e drejtësisë në vend, i cili sipas tij mori vendim të padrejtë në gjykimin e tij në rastin “Stenda”.

Thotë se ky vendim ia pamundësoi atij garimin në këto zgjedhje, e që ndikoi edhe në rezultatin jo të mirë të partisë që ai drejton.

“Ka pasur ndikime të jashtëzakonshme politike sepse ai vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka pasur edhe ndikim drejtpërdrejt  në vendimin tim që të mos marrë pjesë fare në procesin zgjedhor. Pra të mos kandidohem për kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës, dhe natyrisht kjo ka pasur implikime shumë serioze edhe për suksesin e kandidatëve së Partisë së Drejtësisë, 3 kandidatëve sepse nuk është njëjtë të konkurron në garë zgjedhore me kryetarin e partisë në ballë dhe të konkurron vetëm.  Rasti im është tashmë në vendimmarrje pranë Gjykatës së Apelit dhe shpresoj se gabimet e bëra në periudhën paraprake do të korrigjohen dhe që drejtësia të vjen në vend, ndonëse qartë  shumë e vonuar”, thotë ai.

Partia e Drejtësisë në zgjedhjet e 6 tetorit garoi me tre kandidatë për deputetë përmes koalicionit Nisma-AKR.