.
×

Afrim Berisha tregon se si shkoi gruaja e tij në Siri dhe ia mori djalin



Afrim Berisha, bashkëshorti i Valbonës, shqiptares që dy vjet më parë rrëmbeu djalin dhe shkoi nga Italia në Siri ka rrëfyer  historinë e gruas së tij  që u radikalizua përmes internetit.

“Në 17 Dhjetor të vitit 2014 gruaja është larguar në drejtim të Turqisë dhe pastaj në Siri. Ajo më shkruajti pas tre ditësh, më tha: jam në Siri. Këtu nuk ka shkuar as në xhami, e gjitha ndodhi përmes telefonave dhe internetit. Sipas të dhënave, ka lidhje me disa në Kosovë. Edhe bileta është prerë nga Kosova”, rrëfen ai për herë të parë në “Wake Up” në Top Channel.

Për herë të fundit, Afrimi ka komunikuar me djalin përmes telefonit në janar të vitit 2015. Alvini, asokohe 6 vjeç, i tha të atit se donte të kthehej në Itali për të vazhduar shkollën, por nuk e lejonin: “Në 18 janar 2015 ka qenë hera e fundit kur kam folur me djalin. Telefonata zgjati 1 e minutë e disa sekonda. Ai filloi të qante. Më tha “babi, hajde të më marrësh se unë nuk mund të jetoj këtu”. Vijnë aviona dhe hedhin bomba”.

Afrim Berisha ka tentuar dy herë të shkojë në Siri për ta rikthyer djalin në shtëpi, por në kufirin turko-sirian nuk e kanë lejuar të vazhdojë rrugën. Ai thotë se do ta kërkojë Alvinin, tashmë i quajtur Yusuf në Siri, derisa të mundet…

“Po mendoj të shkoj prapë, por policia italiane më ka thënë që po punojnë për ngjarjen. Kam bërë takime dhe denoncim edhe në Tiranë, por asgjë deri tani. As më kanë njoftuar nëse dyshojnë për ndonjë gjë apo jo. Unë nuk ndalem derisa ta gjej djalin; gjallë apo vdekur, unë djalin do ta sjell në shtëpi”, thotw Afrimi.

Kjo histori e prezantuar fillimisht në programin televiziv “Le Iene”, së fundmi është rikthyer në vëmendjen e mediave fqinje, pasi prokuroria italiane ka lëshuar një urdhër-arresti për Valbona Berishën, që braktisi burrin dhe dy vajzat për t’u bashkuar me radhët e ISIS-it. Mbi të rëndon akuza e terrorizmit ndërkombëtar.