[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

AAK mbajtjen e mëtejshme të Ramush Haradinaj në Francë, e konsideron kidnapim të pastër politik



Ramush Haradinaj ka gati dy muaj që po mbahet në Francë nga autoritetet franceze, pasi u burgos për shkak të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në Interpol, ku Haradinaj akuzohet për krime lufte gjatë viteve 1998/99 në Kosovë, por sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lideri i tyre po mbahet në Francë për diçka tjetër.

” Ndaljen e mëtejshme të Kryetarit Ramush Haradinaj në Francë, tash e tutje e konsiderojmë kidnapim të pastër politik.

Kryetari Haradinaj është ndaluar në Francë pas ndërhyrjes së Serbisë dhe në bashkëpunim me kundërshtarët e Kosovës” thuhet ne reagimin e Keshillit drejtues te AAK-se.

Mbajtja e tij tash e dy muaj, nuk ka asnjë lidhje as me drejtësinë as me të shkuaren e Haradinajt, por me qendrimet e tij parimore në raport me zhvillimet në Kosovë dhe për Kosovën.

Iu bëjmë me dije të gjithëve se Ramush Haradinaj nuk është vetëm dhe zvarritja e lirimit të tij, mund të prodhojë pasoja të rënda për paqen dhe stabilitetin.

Kjo farsë gjyqësore me Haradinajn duhet të marrë fund menjëherë. Kërkojmë nga autoritet franceze që të mos vihen në shërbim të Serbisë, e cila është kthyer në mendësinë e vjeter dhe po don që sërish të shkaktojë trazira në Ballkan.

Autoritetet e Kosovës ndërkaq, duhet që me urgjence të vihen në levizje, sepse ndalja e Haradinajt nuk ka të bëjë me individin por është sulm ordiner mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

AAK dhe shqiptarët, nuk do të qetësohen përderisa ai të mos i kthehet vendit të tij dhe punëve që e presin në Kosovë.

Kosova ka nevojë për Ramush Haradinajn dhe prandaj askush nuk ka të drejtë që ta pengojë atë që të punojë për vendin e tij. Nëse institucionet e Kosovës do të rezultojnë të pafuqishme në veprim, atëherë fatet e kësaj çështjeje do t’i marrë në dorë populli.

Kosova ka dhënë boll për stabilitetin rajonal dhe nuk mund të japë më.

 

Ndërsa për Demarkacionin AAK deklaron si në vijim:

 

Ky version i demarkacionit është në kundërshtim me interesin nacional të Kosoves.

Ai parasheh që Kosovës t’i merren disa mijëra hektarë tokë, prandaj është i papranueshem.

Kalkulimet se ky version i demrakacionit është kusht për vizat, është një kushtëzim i pandershëm që është sajuar nga udhëheqja shtetërore e Kosovës.

Nuk mund të pranohet asnjë kushtëzim në dëm të territorit të vendit. Askush nuk ka të drejtë të bëj pazar me territorin, pavarësisht pasojave.

Deputetët dhe udhëheqja shtetërore do të mbajnë përgjegjësi politike, morale e historike nëse nuk do ta kuptojnë se nuk kanë as fuqi, as mandat që ta tjetërsojnë territorin e vendit.

Çmimi i kalimit eventual të këtij versioni mund të jetë shumë më i lartë se sa kundërshtimi i tij.

Kosova nuk ka pse të jetë rast i ndryshëm nga shtetet tjera që kanë pasur konteste me kufijtë e tyre.

Demarkacioni duhet të mos votohet dhe kjo çështje të shkoj në rinegocim me Malin e Zi, duke mos përjashtuar edhe arbitrazhin ndërkombëtar si zgjidhje.

AAK do ta kundërshtoje këtë version me të gjithë mekanizmat që janë në dorën e saj.

 

Menu Title