[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

AAK e gatshme për zgjedhje, por pret reflektim nga partitë tjera për pozitën e Presidentit



Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është optimiste se kandidati i tyre për president, Ramush Haradinaj do marrë mbështetje edhe nga partitë tjera.Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj thotë se në ditët që po vijnë do fillojnë takimet rreth çështjes së Presidentit.

Selmanaj thotë se presin reflektim nga partitë tjera, pavarësisht deklaratave se nuk do mbështetet Haradinaj, ai thotë se tavolina e negociatave është diçka tjetër.

Ai shprehet i bindur se Ramush Haradinaj është kandidati më i mirë për president në rrethanat në të cilat është Kosova.

“Këto ditë do ketë takime dhe konsulta të partive politike. Të shohim se si do të zhvillohet ky proces. Ne po presim që partitë tjera me reflektu karshi kërkesës sonë, propozimit tonë për Ramush Haradianjn si President për Republikën e Kosovës. Të shohim se kur të ulemi në tavolinë si do zhvillohet procesi. Tash për tash deklaratat e përfaqësuesve politik, normal që i marrim si serioze por tavolina për negociata është diçka tjetër. Ne presim mbështetje dhe mendojmë se propozimi ynë është më i miri në rrethanat në të cilat po përballet vendi, jam i bindur për këtë“, deklaroi Selmanaj.

AAK ka deklaruar shumë herë se nëse Haradinaj nuk mbështetet për pozitën e presidentit, vendi do shkojë në zgjedhje. E Selmanaj e përsërit këtë duke thënë se nëse LDK e PDK janë për zgjedhje atëherë edhe partia e tij është e gatshme për ato.

“Nëse LDK dhe PDK janë për zgjedhje atëherë edhe ne jemi të gatshëm me shku në zgjedhje“, thotë Selmanaj për Gazeta Blic.

Menu Title