.
×

A janë këto rastet e serbëve të zhdukur për të cilët po themelohet Gjykata Speciale?!



Gazeta serbe “Vesti”, e cila botohet në Frankfurt të Gjermanisë, sot ka publikuar një tekst të gjatë në të cilin raporton për rastet e serbëve të zhdukur gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Kjo gazetë ka mundur të shohë një dokument të hartuar nga një Komision Këshillëdhënës i OKB-së i cili ka hetuar në dosjet, përkatësisht rastet e hetimeve, të cilat policia e UNMIK-ut, sipas këtij Komisioni, i ka neglizhuar apo i ka lënë anash, si raste të rënda të rrëmbimeve të personave pas luftës në Kosovë.

Në fokus të veçantë këtu është rasti i Zlatko Antiqit nga Prizreni, por edhe i një ish-gazetari serb të RTP-së menjëherë pas lufte. Këtë raportim të “Vestit” agjencitë serbe të lajmeve dhe portalet serbe e kanë karakterizuar si “dështimin” e UNMIK-ut për të parandaluar, siç raportojnë ato, “tregtinë me organe”.

Sipas kësaj gazete, në këtë drejtim është përmendur në veçanti rasti i zhdukjes së Zllatko Antiqit, i cili qe rrëmbyer në Prizren në vitin 1999.

“Nga fillimi kishte mangësi të dukshme në hetime. Ndryshe nga rastet e tjera të zhdukjeve, në këtë ka pasur një dëshmitar okular… por policia e UNMIK-ut në janar 2004 kishte vënë ‘në pritje’ këtë rast duke u harruar kështu fare theksohet në një rekomandim të hartuar nga Komisioni për dhënie të Këshilllave në kuadër të OKB-së që ishte angazhuar për të vlerësuar punën e UNMIK-ut, tekst ky të cilin e ka parë ‘Vesti’ dhe e boton”, shkruan gazeta.

Emri Zlatko Antiq është përmendur në dokumentin e dërguar në Tribunalin e Hagës, e cila përmban informacione përmbledhëse lidhur me përfshirjen e dyshuar të UÇK-së rreth trafikimit të qenieve njerëzore në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, për prostitucion të detyruar dhe trafikimit të organeve.

Aty theksohet se Antiq ishte në mesin e të burgosurve të cilët janë marrë dhe mbajtur në burgjet ilegale në veri të Shqipërisë, në korrik ose në fillim të gushtit të vitit 1999, me qëllim të trafikimit të organeve.

Megjithatë, në hetimin e UNMIK-ut nuk ka asnjë tregues se një informacion i tillë i rëndësishëm është dorëzuar për individët të cilët janë duke hetuar rastin e zhdukjes së Zlatko Antiqit as që misioni ka kryer ndonjë aktivitet për të hetuar më tej akuzat e rënda- përveç faktit që informacioni ishte dërguar në Hagë.

Komisioni Këshillues për të Drejtat e Njeriut është “shqetësuar seriozisht sepse UNMIK ka investuar aq pak përpjekje për të hetuar dhe për të zbatuar të drejtën e të vërtetën në lidhje me këto pohime tronditëse”.

Anëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës kanë regjistruar një deklaratë të dëshmitares nga Prizreni V. N. me datën 2 nëntor 2003 e cila tregon se atë e ka vizituar Zlatko Antiq më 28 korrik pasdite. Sipas saj, ajo e kishte paralajmëruar atë se ishte i rrezikshme për të shkuar përsëri në apartament, për të cilën ai u përgjigj se nuk i ka bërë askujt asgjë prandaj nuk ka pse të ikte. Menjëherë më pas në banesë kanë hyrë shtatë burra të armatosur në uniforma të zeza (tre ose katër mbanin maska). V.N thotë se rrëmbyesit ishin të rinj që ajo nuk i kishte parë më herët dhe se për këtë arsye nuk do të jetë në gjendje për t’i zbuluar ata. Ajo nuk e di në cilin drejtim ata morën Antiqin, dhe shtoi se tre ditë më vonë, ajo shkoi në Angli për tre muaj për trajtim mjekësor.

“Një hetim i efektshëm duhej të përfshinte analizimin dhe zgjidhjen e mospërputhjeve në akuzat që kanë bërë ankuesit dhe V.N. (Dëshmitarja), marrja në pyetje e anëtarëve të tjerë të familjes V.N si dhe një kërkim i zonës (duke përfshirë vendin ku UÇK-ja e kishte themeluar zyrën) si dhe kontrollimi i informacioneve të dhëna nga Xh. G. (njeriu që u vendos më pas në banesën Antiqit).

Në vend që në mënyrë proaktive të monitorojë gjurmët, policia e UNMIK-ut në janar 2004 ka vlerësuar se nuk është në dispozicion ndonjë provë dhe vendosi ta lërë në “pritje” dosjen në fjalë”, përfundon komision këshillues.

Me rastin e zhdukjes së gazetarit edicionit serb të Radio Televizionit të Kosovës – Marjan Melonashi në vitin 2000 në qendër të Prishtinës, është gjetur se dokumentacioni i UNMIK-ut nuk ka asnjë skedar a hetim për të sugjeruar se policia mori në pyetje dikë për këtë rast. Prandaj, Komisioni shprehu dyshime se policia e OKB-së në Kosovë ka qenë e gatshme për të hetuar krimet që dyshohet se janë kryer nga pjesëtarët e UÇK-së.

“Duke marrë parasysh rrethanat e këtij rasti UNMIK-u nuk ka marrë të gjitha masat e përshtatshme për të gjetur eshtrat e personit të zhdukur dhe as që ka vazhduar hetimet për të identifikuar autorët dhe për t’i sjell ata para drejtësisë. Komisioni ka frikë se pasiviteti i tillë vë në dukje një ngurrim të caktuar nga policia e UNMIK-ut për të hetuar, veçanërisht kur ka tregues të dhunës me motive politike të cilat tregohet një person në lidhje me UÇK-në “, thuhet në konkluza të Komisionit.

Komisioni ka miratuar mendimin e vet në bazë të dokumenteve të hetimit të UNMIK-ut dhe kërkon nga Shefi i Misionit të OKB pranimi publik i përgjegjësisë, të kërkojë falje për familjet dhe të kërkojë nga autoritetet kompetente në Kosovë që të ndërmarrin të gjitha hapat e mundshëm për të siguruar që hetimet penale të vazhdojnë dhe autorët e krimit të sillen para drejtësisë.

Sipas dëshmisë Cica Jankoviq, nënës së gazetarit Marjan Melonashi, ai u largua nga ndërtesa e RTK-së me 6 shtator të vitit 2000 mori një taksi dhe që prej atëherë askush nuk e din se ku është ai person.

Zhdukja e tij i është raportuar menjëherë UNMIK-ut, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Kryqit të Kuq të ish-Jugosllavisë, Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë, por pa asnjë rezultat. Në ankesën e parashtruar nga Paneli Këshillues në Prill të vitit 2009, u tha se nuk ka informata a është kryer ndonjëherë një hetim dhe çfarë ishin rezultatet e tij.

Nëna e Zlatko Antiq, Dobrila tha se djali i saj më 28 korrik 1999 u largua nga Brezovica dhe shkoi në banesën e familjes në Prizren për të kontrolluar a është e sigurt që të kthehen. Ai u ndal tek fqinja e cila i dha çelësat e banesës së tij, pak minuta pasi ai hyri në banesë aty u shfaqën gjashtë burra në uniforma të UÇK-së dhe urdhëruan Zlatkon për të shkuar me ta.

Dobrila ka deklaruar se fqinji dhe djali i saj u dërguan në qendrën e studentëve që ndodhet prapa varrezave të qytetit në Prizren, që gruaja u lirua por nga frika nuk kishte raportuar rrëmbimin menjëherë..Nëna beson se fqinja ka identifikuar disa nga rrëmbyesit por nuk kishte dashur t’i tregonte ata.

Në tre muajt e fundit të Komiteti Këshillimor i OKB-së kaloi 18 mendime në 31 raste dhe vuri në dukje lëshime në hetimin e UNMIK-ut. Nga ky mision kërkon të pranojnë përgjegjësinë dhe të kërkojë falje për të afërmit e pesë anëtarëve të familjes së Darinka dhe Nedeljko Shutakoviq, të cilët së bashku me tre bijtë Radovan (10), Gjorgje (16) dhe Aleksandar (18), fqinjët Milenko Kabash, Miço dhe Radmila Petrovic janë rrëmbyer nga ndërtesa ku ata jetonin në Gjakovë, njofton “Vesti”.

Komisioni erdhi në përfundimet e njëjta në rast tjetër tek Radovan Raçiq në fshatin Ramos në komunën e Gjakovës. Pastaj janë rastet e Ljubimirka Gjuriç nga Istogu, Svetislav Jakshiq dhe Rade Budimir nga Prishtina, Sllobodan Vujaçiq, Luka Petrushiq dhe Radmilla Petrushiq në fshatin Banjë të Pejës, Radota Gojkoviq nga Peja, Mlagjan Mavriq nga Hoça e Madhe, Dushan Andrejeviq nga Lipjani, Dragan Stevanoviq, Milosav dhe Sulltane Shmigiq nga Leoqina dhe LJ. B. për të cilin dyshohet se rrëmbye nga UÇK-ja në vitin 1998, shkruan “Vesti”./Gazeta Blic/