.
×

A do të merret Gjykata Speciale me zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë?



Prokuroria e Shtetit thotë se do të angazhohet në zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë, që kanë ndodhur pasluftës.

Ndërkaq zëdhënësi i Task Forcës së BE-së, thotë se për të gjithë ata që janë përgjegjës për krime në Kosovë, kjo Gjykatë do të ngre aktakuza. Vrasjet e pasluftës, kryesisht me motive politike, që kanë ndodhur në Kosovë do të jenë pjesë e hetimeve të Gjykatës Speciale, e cila pritet të fillojë punën gjatë vitit të ardhshëm.

Zëdhënësi i Task Forcës së BE-së, Joao Sousa, në një prononcim për Radio Kosovën nuk ka dashur të komentojë më shumë rreth kësaj çështje, por është shprehur se “ ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë hetimet rreth akuzave që përfshihen në raportin viti 2011 të Këshillit të Evropës, dhe t’i akuzojë të gjithë ata persona që kanë përgjegjësi kriminale, për çfarë do lloji të krimit që bien nën kompetencat e këtij raporti”, është shprehur Joao Sousa.

Nga misioni EULEX-it nuk ka munguar as kësaj radhe përgjigja e gatshme, “EULEX –i nuk komenton për hetimet.
Ndërsa nga Prokuroria e Shtetit, përmes zëdhënësit, Hekrem Lutfiu Radio Kosova ka marrë këtë përgjigje se “Prokurori i Shtetit në takimet me prokurorët e EULEX-it do të kërkoj që këto raste të trajtohen me prioritet në mënyrë që këto raste të zbardhen dhe të vihet drejtësia në vend sa më shpejtë që është e mundur.”

Vrasjet politike në Kosovë, e që janë kryer ndaj zyrtarëve të lartë të LDK-së, vazhdojnë të mbesin edhe më tutje, të pazgjidhura. Deri tash vetëm një raport përmbledhës hetimor, i kryer nga hetuesi amerikan Gery Farnsworth i viti 2012, e që është punuar në kuadër të punës së Prokurorisë së EULEX-it në procesin gjyqësor “Bllaca II”, ka pretenduar se ka pasur vrasje sistematike të zyrtarëve të LDK-së. Ndërkohë, gjatë vizitës së tij në Kosovë, në korrik, kryeprokurori i Task forcës së BE-së, Clint Williamson, kishte prezantuar raportin ku ai tregoi se ka dëshmi të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë për krime për të paktën 10 persona, përfshirë edhe ish drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas, tij ata do të ndiqen për vrasje të motivuara etnikisht, vrasje politike, vrasje të ish bashkëpunëtorëve të regjimit, frikësim, dëbim, dhunë seksuale dhe shkatërrim të monumenteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë.