.
×

28 vjet burg për vrasjen në Zveqan



 

Nën masat e shtuara të policisë së Kosovës sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës u shpall aktgjykimin kundër të akuzuarve Petar Peshiq, Gjorgje Spahiq dhe Millosh Millovanoviq, lidhur me rastin e vrasjes së rendë dhe veprave të tjera për të cilat akuzoheshin ata.

Kështu në aktgjykimin e shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Burim Ademi, të akuzuarit janë dënuar me gjithsej 28 vjet e gjatë muaj, për veprat më të cilat akuzohen nga prokuroria themelore e Mitrovicës.

I akuzuari i parë në këtë rast, Petar Peshiq, u shpall fajtor për veprën penale “vrasje e rëndë”, për të cilën i është shqiptuar dënimi me burgim prej 17 vjetësh

Peshiq po ashtu u shpall fajtor edhe për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, për të cilën është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim.

Kurse për këto dy vepra penale i është shqiptuar dënimi unik prej 18 vjetësh, duke iu llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 11 qershori i vitit 2016 e deri më 11 korrik të vitit 2018.

Ndërsa i akuzuari, Gjogje Spahiq, për veprat penale me të cilat ngarkohej, u dënua me dënim unik prej 10 vjetësh e gjashtë muaj.

Kurse i akuzuari, Millosh Millovanoviq për armëmbajtje pa leje, iu shqiptua dënimi me gjobë në vlerë prej 2.000 euro, të cilin sipas aktgjykimit, obligohet ta paguajë në kohëzgjatje prej 6 muajve, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, kurse është liruar nga akuza për kryerjen e veprës penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit gjyqtari i rastit, Burim Ademi gjithashtu ka njoftuar se Petar Peshiq dhe Gjorgje Spahiq, obligohen që në mënyre solidare, në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe për shpenzimet e përfaqësuesve të të dëmtuarit, të paguajnë shumën prej 12.955 euro.

Gjyqtari Ademi, po ashtu tha se gjykata ka pasur për bazë të gjitha pretendimet e të gjitha palëve dhe sipas tij, në raport me të gjitha provat që janë administruar, ka ardhur deri te marrja e këtij vendimi.

Të gjitha palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit, ka njoftuar palët gjyqtari, Burim Ademi në fund të shpalljes së aktgjykimit

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, thuhet se në qershor të vitit 2016 në Zveçan i akuzuari Petar Peshiq pas një fjalosjeje me të ndjerin Nikolla Angjelkoviq kishte nxjerrë nga brezi revolen dhe kishte shtënë në drejtim të tij duke i shkaktuar plagë në sy dhe në stomak. I plagosuri ishte dërguar në qendrën klinike në Kragujevc të Serbisë dhe si pasojë e plagëve të marra kishte vdekur pesë ditë më vonë.

Me këtë ka kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.

Aktakuza e ngarkon edhe Gjorgje Spahiqin se pas një përplasjeje verbale me Gjorgje Angjelkoviqin me dashje kishte tentuar ta privojë nga jeta, duke shtënë shtatë herë në të me ç’rast i dëmtuari ka marrë lëndime në gjoks, bark dhe këmbë, duke rrezikuar kështu edhe jetën e personave të tjerë.

Me këtë i njëjti ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.

Ndërsa, Millosh Millovanoviq, akuzohej se nga 11 deri më 13 qershor ka mbajtur në pronësi dhe ka poseduar armën, e cila më pas është konfiskuar nga policia. Me këtë ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, nga neni 374 paragrafi 1 dhe ”dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 388 i KPRK-së.