.
×

10 vjetori i Pavarësisë, Konsulata në Zyrih shënon këtë jubile



 

10 – vjetori i Pavarësisë së Kosovës për kreun e Konsullatës së Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu, është jubile i rëndësishëm për vendin, por është edhe një moment për bilance dhe reflektim në shërbimin diplomatik të Kosovës

Islam Spahiun, diplomat shumëvjeçar të Kosovës, 10-vjetori i pavarësisë po e gjen në Cyrih të Zvicrës, në krye të konsullatës më të madhe në Zvicër, të shtetit më të ri në  Evropë.

 

Konsullata e Kosovës në Cyrih funksionon nga viti 2010 krahas  26 ambasadave dhe 27 konsullatave tjera në vende të ndryshme të botës.

10 – vjetori për diplomatin Spahiu është jubile i rëndësishëm për vendin, por edhe një moment për bilance dhe reflektim në shërbimin diplomatik të Kosovës.

 

Ia fillon me statistika. Prej themelimit nga Konsullata në Cyrih janë lëshuar 16115 pasaporta dhe letërnjoftime për qytetarët kosovarë.

 

“Shërbimi konsullor në Cyrih ka lëshuar 6884 fletudhëtime, 872 ekstrakte, 197 certifata të lindjes. Po ashtu janë lëshuar certifikata të martesës (27), vendbanimit (7), gjendjes martesore (48), regjistrime lindje 735, regjistrim martese (188), certifikata, vulosje 883, vulosje të certifikatave (1252), vërtetime të ndryshme (221) dhe humbje dhe fitim shtetësie (11)”, raporton konsulli Spahiu, duke theksuar se tashmë janë dorë e zgjatur e shtetit për qytetarët e Kosovës.

 

Përveç kësaj, ai thotë se Konsullata në Cyrih prin me lëshimin e dokumenteve madje edhe nëse krahasohet me përfaqësitë tjera konsullore me shtetet tjera.

 

“Fakti se këtu është mërgata më e dendur kosovare në Zvicër dhe se në kantonin e Cyrihut janë përqendruar një numër më i madh i qytetarëve të Kosovës, na bën të jemi ndër konsullatat më të mëdha kosovare në botë” pohon Spahiu. Ai pohon se gjenerojnë edhe të hyra ngase një pasaportë kosovare në Cyrih kushton 180 franga ndërsa në Gjermani është vetëm 100 euro.

 

Si sukses, Spahiu numëron edhe relacionin e mirë që kanë me autoritetet zvicerane në fushën ekonomisë dhe diplomacisë.

 

Ai thotë se nuk e kishte lehtë dhe shpesh e kanë vënë në siklet zhvillimet e brendshme të vendit duke zbehur madje besimin te autoritetet e vendit pritës po edhe te vet qytetarët e Kosovës.

 

“Nuk është e lehtë të përfaqësosh shtetin ku problem është edhe ndotja e ajrit e të mos flasim për problemet ekonomike e politike”, thotë Spahiu duke lënë të kuptohet se imazhi I Kosovës reflekton gjendjen reale në vend ndërsa diplomacia sipas tij duhet të punojë më shumë në intensifikim e diplomacisë ekonomike dhe kulturore.

 

“Në takime me palën e vendit pritës është reflektuar në disponim dhe nuanca po edhe te qytetarët që ndikohen nga lajmet jo të mira që vijnë nga mediat” , tha Islam Spahiu, ndonëse pohon se vazhdimisht janë në komunikim me qytetarët dhe ballafaqohen për çfarëdo problemi që kanë ata.

 

Diplomati insiston se falë teknologjisë, shërbimet konsullore kosovare janë më efikase nëse krahasohen me ato të vendeve tjera të rajonit, në Zvicër.

 

“Kam qenë në Konsullatën Kroate dhe jam habitur kur më thanë se për një pasaportë presin 2 deri 3 muaj. Te ne një pasaportë përgatitet për dy deri tre javë. Me teknologjinë e re e cila mundëson marrjen e fotos dixhitale, skanimi dhe marrjen e shenjave të gishtërinjve në konsullata përshpejtohet nxjerrja e dokumenteve, të cilat shkojnë menjëherë në prodhim në Prishtinë”, tregon Spahiu duke u krenuar se bashkëqytetarët e tij në Zvicër nuk e kanë më problem nxjerrjen e dokumenteve.

 

Përveç dokumenteve, diplomati kosovar sa i përket investimeve bashkë me 3 diplomatë tjerë të kësaj konsullate thotë të jenë angazhuar në rrjetëzimin po edhe lidhjen mes Zvicrës dhe Kosovës.

 

Rreth 200 mijë njerëz me rrënjë kosovare jetojnë në Zvicër dhe kjo është e barabartë me më shumë se 10 për qind të banorëve të Kosovës.

 

 

Kaq dokumente janë lëshuar

 

“Shërbimi konsullor në Cyrih ka lëshuar 6884 fletudhëtime, 872 ekstrakte, 197 certifata të lindjes. Po ashtu janë lëshuar certifikata të martesës (27), vendbanimit (7), gjendjes martesore (48), regjistrime lindje 735, regjistrim martese (188), certifikata, vulosje 883, vulosje të certifikatave (1252), vërtetime të ndryshme (221) dhe humbje dhe fitim shtetësie (11)”