.
×

​Zgjidhja duhet të gjendet për të shmangur zgjedhjet



Në vazhdën e përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje, për të dalë nga bllokada institucionale që e ka përfshirë vendin tash e pesë muaj të plotë, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka thirrë disa raunde takimesh.

Mirëpo, takimet e thirrura deri më tani nuk është se kanë sjellur ndonjë rezultat që do të mund të jepte shenja drejt zgjidhjes.

Në anën tjetër, me gjithë insistimin e presidentes dhe të Partisë Demokratike të Kosovës për një takim të përbashkët të të gjithë liderëve, kjo gjë nuk u bë e mundur për shkak të refuzimeve të vazhdueshme të Koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje.

Një takim të tillë, presidentja po e kërkon edhe tani, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje, pa pasur nevojë të shkohet në zgjedhje.

Këshilltari i presidentes, Arbër Vllahiu në një prononcim ka thënë që ky takim do të realizohet kur liderët e partive politike parlamentare të jenë të gatshëm që të ulen për të gjetur zgjidhjen për krizën institucionale.

“Takimi i përmendur do të realizohet kur liderët e partive politike parlamentare të jenë të gatshëm që të ulen për të gjetur zgjidhjen për krizën institucionale, që po e lëkundë qëndrueshmërinë e shtetit dhe po e fut atë në një krizë të thellë financiare dhe buxhetore me pasoja të rënda për qytetarët”, ka thënë , Vllahiu.

Sipas tij, një takim i përbashkët do t’u mundësonte liderëve të arrijnë në një përfundim të qartë për krijimin e institucioneve dhe për të marrë përgjegjësi për proceset në të cilat ndodhet vendi. Vllahiu ka shprehur besimin se partitë politike parlamentare do të gjejnë forcën për të ecur drejt përmbushjes së synimeve të vendit.

I gjithë ky insistim, për një takim të përbashkët të liderëve, ku ata do të ofronin zgjidhje dhe sugjerime për të dalë nga kriza po bëhet për të shmangur çdo situatë që çon drejt zgjedhjeve.

“Zgjidhja duhet të gjendet për të shmangur çdo situatë që çon drejt zgjedhjeve. Dhe prandaj është kërkuar nga liderët e partive politike parlamentare që të ofrojnë zgjidhje dhe sugjerime për të nxjerrë vendin nga kriza”, ka thënë Vllahiu, për Gazetën Express.