.
×

​Kurti: Serbisë i konvenon ky regjim i korruptuar në Kosovë, nuk i konvenon konflikti me KFOR-in



Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke e komentuar aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ka pohuar se “ishte veçse edhe një tensionim i kontrolluar për të mbuluar skandalet e regjimit”.

“Korrupsioni dhe krimi duhen luftuar çdo ditë, por më mirë është t’i ndalojmë e parandalojmë duke i hequr këta që i kultivojnë dhe i shtojnë ato secilën ditë”, ka vlerësuar Kurti.

Postimi i Kurtit në Facebook:

Tensionimi i kontrolluar

Këta që krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë e institucionalizuan duke e ushqyer përditë për dy dekada nga zyrat e tyre, duan ta luftojnë me aksione në terren një herë në vit. Krimi dhe kontrabanda në veri të vendit nuk ndodhën papritur – ato kanë vazhduar për aq sa ka vazhduar edhe zhvatja e hajnia në pjesën tjetër të vendit.

Sigurisht që policia e ka mundësinë dhe aftësinë, drejtësia e ka detyrën dhe nevojën, kurse populli ynë e ka dëshirën dhe interesin për luftimin e krimit e të korrupsionit.

Mirëpo, nuk mund të jemi të sigurt se për çka bëhet fjalë, kur në krye të një aksioni kundër krimit e korrupsionit ndodhet prokurori famëkeq Sylë Hoxha dhe presidenti aktual po ashtu famëkeq (me krahun e tij të djathtë, kryetarin e Kuvendit, dhe, krahun e tij të majtë, kryeministrin e vendit).

Këta po shtiren se po e mbrojnë Kosovën teksa po e vjedhin atë dhe duan t’i mbulojnë skandalet e fajdeve të tyre në paqe e të fotografive të tyre për luftë. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Vuçiq, shtiret se do ta sulmojë Kosovën, gjersa synon ta përforcojë pushtetin e tij. Serbisë i konvenon ky regjim i korruptuar në Kosovë dhe nuk i konvenon konflikti me KFOR-in.

Prandaj, ky sot ishte veçse edhe një tensionim i kontrolluar për të mbuluar skandalet e regjimit. Asnjë nga top 20 zyrtarët e korruptuar në vendin tonë nuk besoj të jenë arrestuar sot. Çerdhja e korrupsionit dhe krimit në Kosovë, është te prokurimi dhe liçensat e shtetit, te prokuroria dhe gjyqësia e shtetit, te presidenti i shtetit.

Korrupsioni dhe krimi duhen luftuar çdo ditë, por më mirë është t’i ndalojmë e parandalojmë duke i hequr këta që i kultivojnë dhe i shtojnë ato secilën ditë.