.
×

​Jahjaga: Qytetarëve në nevojë, t’iu kthehet dinjiteti



Qytetarëve në nevojë, duhet të kthehet dinjiteti, duke u ofruar mbështetje institucionale, me qëllim të përmirësimit të jetës së tyre. Kështu pohoi presidentja e vendit Atifeta Jahjaga, gjatë një vizite bërë në Komunën e Pejës.

Presidentja Jahjaga, me rastin e festave të fund vitit, ka ndarë subvencione për qytetarët në nevojë në tri komuna, atë të Mitrovicës, Pejës dhe të Prizrenit.

Ndërsa në kuadër të vizitës në qendrat që përkujdesen për qytetarët në nevojë, ka vizituar Pejën, ku është takuar me kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në komunë dhe projektet zhvillimore të saj.

Jahjaga, po ashtu theksoi nevojën e përkujdesjes institucionale, për kategoritë e caktuara në shoqëri dhe për punën e përbashkët, në rritjen e mirëqenies, për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Sot erdha këtu në komunën e Pejës, së bashku me ministrin Abrashi dhe kryetarin e komunës, Muhaxheri, që për së afërmi t’i shohim qytetarët tanë që jetojnë në lagje të ndryshme, të shohim personalisht se në çfarë kushtesh jetohet në këto lagje. E dyta është që të ofrojmë mbështetjen tonë institucionale për përmirësimin e jetës së tyre, që t’ua kthejmë identitetin dhe dinjitetin e tyre, së pari si qytetarë të Republikës së Kosovës, si qytetarë të këtij qyteti dhe të kësaj pjese të shtetit tonë. Qëllimisht kemi zgjedhur në festat e fundvitit, që të vijmë dhe t’i vizitojmë. Me këtë ne e përçojmë mesazhin e ndihmës dhe të përkrahjes. Ne si popull gjithmonë kemi qenë zemërhapur, kemi qenë popull solidar. Ne e dimë më së miri se, në çfarëdo kushtesh që kemi jetuar, në këto dy dekadat e fundit, ne e kemi hapur zemrën dhe atë që e kemi pasur për vete, e kemi ndarë edhe për fqinjin. Kështu që, i lus qytetarët tanë, që, sidomos për këto festat e fundvitit, t’i hapin zemrat e tyre dhe t’ju ndihmojnë qytetarëve të tyre, fqinjëve të tyre, sepse në këtë mënyrë e ndihmojnë vetë vendin tonë”, ka pohuar Jahjaga.

Jahjaga, po ashtu ka vizituar dy qendra, që përkujdesen për fëmijët në veçanti dhe qytetarë në nevojë, “Duart plot mëshirë” dhe “Qendrën për jetë të pavarur”.

Ajo vizitoi dhe lagjen “7 Shtatori” në Pejë, ku jeton në kushte të rënda sociale, një numër i qytetarëve të komunitetit rom, egjiptas e ashkalinj.

Ndërsa kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, e njoftoi presidenten për aktivitetet, nevojat dhe sfidat e komunës së Pejës, si dhe projektet për zhvillimin e bujqësisë e të turizmit malor.

Ai gjithashtu foli edhe për përkujdesjen e komunës për shtresat e popullsisë që janë në nevojë.

“Ne duke e parë këtë gjendje të keqe që është kemi përgatitur investimet për vitin e ardhshëm dhe ato siç thash edhe më herët do të shkojnë në rregullimin e kanalizimit, ujësjellësit, kubëzimit të të gjithë këtyre lagjeve, që t’i përngjajnë lagjeve tjera të qyteteve”, ka thënë Muhaxheri.

Banorëve të kësaj lagje, premtime për një jetë më të mirë u dha dhe minstri Punës dhe Mirqenies sociale Arban Abrashi.

Ndryshe, presidentja Jahjaga, me rastin e festave të fund vitit, ka ndarë subvencione për qytetarët në nevojë. Kështu, me 3 mijë euro është subvencionuar Lidhja e Invalidëve dhe Viktimave Civile të Luftës në Kosovë, me seli në Mitrovicë.

Gjithashtu, me shumën prej 3.000 euro është subvencionuar Shoqata “Duart plot mëshirë”, me seli në Pejë, me dedikim për familjet e komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptas të lagjes “7 Shtatori”, për të cilët përkujdeset kjo shoqatë. Dhe subvencioni prej 3.000 euro, është ndarë edhe për Shoqatën Humanitare të Prindërve me Persona me Aftësi të Kufizuara Mendore – Hadër, me seli në Prizren.