.
×

​Isa Boletini rivarroset me 16 janar



Ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit, është vendosur që të bëhet më 16 janar të vitit të ardhshëm.

Ky vendim është marrë sot, gjatë një takimi që ka pasur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me Këshillin Organizativ për rivarrimin eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini dhe Kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin.

Përfaqësuesi i familjes Boletini, Gazmend Boletini, thuhet ta ketë informuar ministrin Shala me procesin e punës, koordinimin me institucionet dhe çfarë aktivitetesh do ta përcjellin ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit Boletini.

Ndërkaq, Ministri Shala është shprehur se tashmë pas identifikimit të eshtrave të heroit tonë kombëtar, Isa Boletini, nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, jemi në fazën përfundimtare kur edhe do të organizohet ceremonia e rivarrimit.

Ai në lidhje me këtë, ka ofruar mbështetjen e tij personale dhe të MKRS-së dhe ka falënderuar të gjitha institucionet që kanë punuar në mënyrë profesionale në finalizimin e këtij procesi./KosovaPress/